Veliera me 1 ton drogë e kapur në Greqi ishte nisur nga Shqipëria, zbulohet destinacioni

Një velierë e nisur nga Shqipëria me mbi një ton drogë është kapur nga policia greke.

Sipas mediave greke, në velierë ndodheshin 1 ton e 65 kilogramë e 750 gramë marijuanë, ndërsa kishte si destinacion Turqinë, ku do të shkëmbehej me heroinë të pastër.

Policia ka arrestuar dy persona nga Ukraina, 28 dhe 42 vjeç, të cilët ndodheshin në velierën e mbushur me drogë.

Policia greke po heton nëse kapja e kësaj veliere ka lidhje me ngjarjen e 4 majit në Volë, Igumenicë, ku një tjetër velierë e quajtur “My Melody”, u dyshua për trafik të paligjshëm, por drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe më pas i vuri zjarrin anijes, prej ku dy marinarë tentuan të largohen me një mjet ndihmës, ndërsa pronari i saj nuk është gjetur ende.