Flash News

KRYESORE

Vendimi i qeverisë, krijohen dy drejtori

Vendimi i qeverisë, krijohen dy drejtori

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar ngritjen e dy drejtorive të reja, atë të Thesarit dhe drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë. Të dyja drejtoritë, janë në varësi të ministrisë së Financave.

Sipas vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit ka këto funksione dhe përgjegjësi kryesore

a) Menaxhimin e mjeteve monetare për kryerjen e pagesave brenda kufijve të limitit të cash-it;

b) Kryerjen e pagesave në mënyrë të centralizuar dhe administrimin funksional të sistemit informatik financiar të qeverisë, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, për procesin e ekzekutimit të buxhetit të shtetit dhe të raportimit financiar;

c) Regjistrimin, kontrollin, kontabilizimin dhe përpunimin e informacionit të transaksioneve të qeverisjes së përgjithshme;

ç) Llogaritjen e vlerës për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë në mënyrë proporcionale dhe sipas radhës së numrit të pagesave;

d) Menaxhimin e procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar të ish- të dënuarve politikë me transparencë dhe në kohë;

dh) Hartimin e akteve nënligjore, të cilat prekin fushën e përgjegjësisë së institucionit dhe i propozohen ministrit përgjegjës për financat.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe Donatorëve të Tjerë ka funksionet dhe përgjegjësitë e mëposhtme:

a) Kryerjen e procedurave të prokurimit dhe të kontraktimit të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

b) Mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave të nënshkruara në kuadër të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

c) Menaxhimin financiar, regjistrimin e transaksioneve në sistemin e kontabilitetit si dhe kryerjen e pagesave për kontratat e lidhura për projektet e miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;

ç) Realizimin e kontrollit dhe të certifikimit të shpenzimeve të kryera nga partnerët shqiptarë gjatë zbatimit të projekteve të bashkëpunimit rajonal dhe ndërterritorial, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e financimit;

d) Kryerjen e kontrolleve në vend pranë institucioneve përfituese të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, për të siguruar zbatimin efektiv dhe në kohë të projekteve nga strukturat IPA;

dh) Ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme për institucionet përfituese lidhur me proceset e prokurimit dhe të monitorimit të zbatimit të kontratave e të projekteve sipas rregullave të donatorëve.

 

 

Të fundit