Flash News

OP-ED

Vetëm budallenjtë janë në paqe me veten, dhe me Ramën

Vetëm budallenjtë janë në paqe me veten, dhe me Ramën

Gentian Gaba

Përgjigja europiane për negociatat, e zhveshur nga triumfalizmi imagjinar i mazhorancës, erdhi si pasojë e një kompromisi midis europianëve që ishin gati të mbyllnin hundën, dhe t’i jepnin një Po çeljes së negociatave këtë muaj, sikurse rekomandonte edhe Komisioni, dhe shteteve që nuk mund të toleronin lehtësisht këtë Po, si pasojë e politikave të këtushme, që kanë mbushur Francën me azilkërkues, dhe Holandën me krim dhe drogë “Made in Albania”.

Të martën fitoi një kompromis i dyfishtë midis këtyre vendeve. I pari është ai mbi datën e fillimit të negociatave, të cilat pësuan një shtyrje në kohë. I dyti lidhet me rolin e Komisionit Evropian, të cilit, këto 12 muaj, do t'i kërkohet të kontrollojë hap pas hapi modernizimin progresiv të Shqipërisë, me një fokus të veçantë në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Pra, detyrat e Komisionit në vendin tonë, të hedhura të zezë mbi të bardhë në konkluzionet e Këshillit, do të ngjasojnë më shumë me funksionet që mund të ushtrohen mbi një protektorat, sesa ndaj një vendi sovran.

Nga ky këndvështrim, me përmbysjen e rekomandimit pa kushte që Komisioni bëri prillin e shkuar, kushtëzimi i ri i Këshillit mbi detyrat e Komisionit, jo vetëm që nuk ka asnjë hapësirë për ta quajtur këtë vendim një sukses historik, pasi është pasqyrimi i dështimeve të reformave kaq shumë të trumbetuara, por fillimin e një periudhe shumë të vështirë për politikën shqiptare në përgjithësi, dhe mazhorancën në veçanti.

Mbyllja e derës për këtë qershor, me një opsion për qershorin 2019, u shoqërua me një frymë inkurajuese nga vendet e BE-së, gjë që i lejoi Ramës një hapësirë të ngushtë për të ndërtuar një strategji komunikimi lehtësuese përballë shqiptarëve. Nëse Jo-ja tingëllon premtuese për verën e ardhshme, gjithmonë në varësi të progresit të bërë, sipas tekstit të Këshillit (depending on progress made!), ishte për një fakt shumë të thjeshtë. BE-ja u përpoq të zbusë efektet që një refuzim i prerë, pa një perspektivë, mund të ngjallte në opinionin publik shqiptar. Frika e një euroskepticizimi që mund të lindë në vendin tonë, si pasojë e përgjigjes negative, i cili mund të kalërohet nga shtete si Rusia dhe Turqia, i detyroi europianët të flisnin si një orakull i lashtë. Të pakuptueshëm për veshët e papërgatitur të qytetarëve të thjeshtë, dhe lehtësisht të tjetërsueshëm nga industria rilindase e mohimit.

Me këtë qëllim, pasditen e djeshme, Rama mblodhi në Kryeministri qeverinë e tij dhe deputetët e Partisë Socialiste, për të mbajtur një monolog në të cilin shkarkoi mllefin e JO-së, që plot mëri quan sukses, ndaj opozitës. Mirëpo kjo e fundit, nuk bën gjë tjetër veçse të evidentojë atë që Rama ka deklaruar, jo më larg se 15 maji, në një prononcim për Euronews, ku kryeministri e quante hapjen e negociatave me BE këtë qershor një çështje jete ose vdekjeje.

Megjithatë, edhe pse po përpiqet ta vulosë humbjen si fitore, dhe Bashën si fajtor, Rama është fare i qartë se kambanat e Europës nuk ranë për opozitën, por për vetë atë. Për këtë arsye, sokëllimat kryeministrore drejt hënës së keqe evropiane, vijnë si një ogur i keq për fatin e tij në muajt që na ndajnë nga qershori i ardhshëm.

I vetëm në pushtet, pa askënd me të cilin të ndajë peshën e përgjegjësisë për ato që nuk ka bërë në këto pesë vite, dhe atë që do të duhet të bëjë në vitin në vijim; ajo andrallë sot nuk është fati ynë, por fati i pushtetit të tij, i cili është i papajtueshëm me kërkesat e “xhandarmërisë” evropiane.

Ndonëse në këto orë e pati të lehtë të luante me tymnaja, spin dhe propagandë, këto mjete nuk mund ta ndihmojnë shumë gjatë, prandaj Rama nuk është i qetë, dhe mirë bën. Filozofi Martin Steel ka thënë dikur se “vetëm budallenjtë janë në paqe me veten”. Nëse Rama do të ishte budalla, sot do të gëzohej, apo do të festonte, por nuk e bën, sepse i tillë nuk është. Për të njëjtën arsye, qytetarët që njohin një diferencë midis një Po-je dhe një Jo-je, dhe prisnin hapjen e negociatave në këtë qershor, nuk kanë pse të jenë në paqe, as me rezultatet, dhe as me Ramën.

Të fundit