Vetëm pak orë rektor i UT, publikohet plagjiatura e dytë e Bernard Dostit

Mëngjesin e sotëm u njoftua se Bernard Dosti do të jetë rektor i përkohshëm i Universitetit të Tiranës, pas vendimit të Besa Shahinit, ministre e Arsimit, për të shkarkuar Mynyr Konin.

I pari që reagoi për emërimin e Dostit ishte Taulant Muka, ish-zv/ministër i Arsimit, i cili ripublikoi skandalin e plagjiaturës ku është përfshirë rektori i ri. Por përveç artikujve që kishte kopjuar, ku ishte bashkautor me ish-zv/ministrin e Arsimit, Ervin Demo, i shkarkuar për të njëjtin skandal, Bernard Dosti rezulton me një tjetër plagjiaturë.

Është studiuesi Vladimir Kola që deklaron se “Financial Crisis Effect on Public Debt in Western Balkans Countries”, me autorë Adela Shera, Ledjon Shahini dhe Bernard Dosti, i publikuar në revistën “Journal of Knowledge Management, Economics and Information Technology”, 2015, rezulton të jetë plagjiaturë.

Vendimi i ministres Shahini për të komanduar Dostin në krye të Universitetit të Tiranës, ka rritur shqetësimet për kapjen e këtij institucioni nëpërmjet personave tashmë të denoncuar me vjedhje dhe kopje.