Flash News

OP-ED

"Vetëm tre minuta…e jo më shumë!”

"Vetëm tre minuta…e jo më shumë!”

Naum Mara

A e di Brukseli, se si po ndërtohet shteti në Shqipëri

Kjo të shkon ndërmend, kur shikon kryeministrin Rama, që në takimet me “hallexhinjtë“, ju thotë se nuk ka nevojë të shkojnë zyrave, por mjafton të plotësojë për 3 minuta në platforma shqipëriaqëduam.al, një formular ankese dhe do marrë përgjigje brenda 10 ditëve.

Nuk ka nevojë të shkojnë zyrave

Kjo është parrulla më populiste, që tejkalon edhe praktikën e kohës së Diktaturës komuniste, kur “shoku Enver” e fillonte ditën e punës me letrat e popullit.

Në orët e edukatës qytetare në gjithë vendet me demokraci të zhvilluar, fëmijëve dhe të rinjve iu shpjegohet se si funksionon shteti demokratik. E njëjta gjë besoj të jetë në tekstet edhe të shkollave në Shqipëri. Askund nuk thuhet, se institucionet do kenë paralel një degë të krijuar nga Kryeministri ku “bashkëqeveriset me popullin”. Koncepti i “bashkëqeverisjes” është në vetvete një koncept populist, në rastin më të mirë dhe një koncept diktatorial në atë më ekstremin.

Enver Hoxha nëpërmjet ankesave të letrave të popullit, mbante nën trysni gjithë vartësit e vet dhe njëkohësisht lartësonte kultin e tij. Asokohe funksiononte një aparat i tërë në qendër dhe rrethe, që merrej me letrat dhe shkonte në fshatra apo në qendra pune për të zgjidhur ankesat. Ishte një mekanizëm diabolik, që zëvendësonte institucionet qeveritare apo ato të ligjit. Aparatçikët e Komiteteve të Partisë, që shkonin në bazë për të diskutuar problemet, që ngriheshin në letra, i përdornin ato në varësi të “luftrave mes tarafeve” duke favorizuar ose denigruar kryetarët e kooperativave, drejtorët e ndërmarrjeve apo të tjerë nëpunës të mesëm.

Të njëjtën gjë bën edhe Rama sot. Atij nuk i intereson ndarja e pushteteve dhe forcimi i institucioneve. I intereson vetëm forcimi i pushtetit të tij dhe nuk rreket të zbatojë alfa-n e demokracisë, që është ndarja e pushteteve. Kryeministri, kryeministria dhe as ministritë, nuk kanë pse të merren me problemet e pushtetit lokal dhe as me hallet e njerëzve për punë, kanalizime, prona apo probleme shëndetësore.

Qeveria ndjek politika, të cilat mundësojnë përmirësimin e administratës apo zgjidhjen e shpejtë të problemeve. Nëse duhen shtuar “avokatët e popullit”, ose ata, që në botën anglo-saksone quhen “ombudsman”, atëhere kjo bëhet me ligje dhe jo me fushata dhe as me platforma online.

Deri tani po bëhet ç’është e mundur për të zëvendësuar institucionet me demagogjinë, për të kthyer Kryeministrin nga një nëpunës të lartë të shtetit në shërbim të njerëzve në Skënderbe, jetën normale qytetare në një fushatë permanente elektorale.

Kryeministri nuk di të qeverisë

Kjo është njëra nga arsyet, që vazhdon të bëjë atë ç’ka di më mirë- të premtojë, të hedhë romuze, të diskreditojë kundërshtarët, të pretendojë se mund të bëjë edhe diellin edhe hënën në Shqipëri.

Ndaj në shfaqjet e tij qesharake, ku thërret si këngëtari kosovar Agron Berisha “Vetëm pesë (tre në rastin e Edit) minuta , jo më shumë!”, ka edhe episode nga më absurdet, si në Korçë, kur një qytetare i ankohej Kryeministrit, se shitësi i lagjes shiste mish gomari në vend të atij të viçit.

Qytetarja e shkretë, e trullosur nga propaganda e televizioneve pro-Ramës, nuk ka arritur të kuptojë, se po ankohej te Kryeshitësi, që po shet tash e pesë vjet mish gomari të ngordhur, të cilin e paraqet si prodhim bio të fermës së tij në Surrel.

Por në Bruksel, dikush mban shënime për këto prodhime të Surrelit.

 

Të fundit