Flash News

OP-ED

Vetingu në politikë i domosdoshëm, por a 'e lejon' shoqëria?

Vetingu në politikë i domosdoshëm, por a 'e lejon'

Red Varaku

Një nga çështjet më të diskutuara në këtë sezon të ri politik është korruptimi i politikës dhe pastrimi i saj nëpërmjet një vetingu, të ngjashëm me vetingun që u aplikua nw sistemin e drejtësisë. Deklaratat e Lulzim Bashës për pastrimin e politikës gjetën menjëherë mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.

Nevoja për një veting në politikë përpiqet të reflektojë mendimin e shumicës së shqiptarëve, që fajin për krizën ku ndodhet sot shoqëria shqiptare, e ka klasa politike dhe në mënyrë që politikëbërja të përmirësohet duhet që liderët politikë të ulen dhe të bashkëpunojnë, duke lënë kështu mënjanë hatërmbetjet dhe pakënaqësitë.

Pra, një bashkëpunim, që synon lënien e llogoreve të vjetra politike dhe krijimin e një klime të përshtatshme dhe të shëndetshme për jetën e qytetarëve. Sigurisht, që për situatën e krijuar politika ka mëkatet e veta, por nuk duhet harruar kurrsesi që në fakt problemet që kemi sot fajtorë jemi edhe vetë ne si shoqëri.

Për këtë kemi si provë zhgënjimet që na kanë sjellë ‘reformat’ plot pompozitet, si ajo e vitit 2008, apo së fundmi reforma në sistemin e drejtësisë, për të cilin akoma pa nisur punë, ka rezerva nga të gjitha palët e interesuara. Sepse sistemi ynë politik, kryesisht, reflekton problematikat tona si komunitet, si shoqëri, si popull.

Mosfunksionimi i sistemit politik i ka rrënjët më të thella sesa një bashkëpunim i munguar i forcave politike. Mosfunksionimi politik i ka rrënjët thellë në krizën që ka kapur marrëdhëniet ndërnjerëzore, të cilat janë në pikën më të ulët historike.

Është konteksti shoqëror ku lulëzon dhe jep frute kjo politikë, ai që duhet përmirësuar. Konteksti shoqëror është gati helmues për shkak se është bërë mjaft agresiv.

Shoqërisë shqiptare prej kohësh i mungon ajo që shpesh e quajmë ngrohtësi njerëzore, dhe ankesat për këtë mungesë i has gati në çdo bisedë. Kjo është diçka që është lehtësisht e evidentueshme te familjet, lagjet, shkollat, organizatat deri edhe institucionet fetare, të cilat janë tejet të ngarkuara me dhunë dhe agresivitet.

Por si ndodhi kjo metamorfozë e shoqërisë shqiptare?

Kjo metamorfozë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e kapërcimit të jashtëzakonshëm shpirtëror, që shoqëria bëri menjëherë pas viteve ‘90. Ajo realizoi në gati 30 vjet atë, që shumë shoqërive iu deshën shekuj për ta realizuar. Kjo si pasojë e etheve të individualizmit të pas viteve ‘90, që kapi shoqërinë menjëherë pas rënies së regjimit. Ideja mbisunduese e atyre viteve ishte dashuria për lirinë dhe urrejtja ndaj çdo gjëje kolektive.

Sepse regjimi komunist, në emër të kolektivitetit, kishte bërë krime monstruoze dhe interesi publik ishte kthyer në sinonim të mashtrimit, vjedhjes. Interesi publik në fakt për shumë kohë, nuk ishte tjetër veçse interesi i fëlliqur i partisë. Ndaj pas rënies së regjimit, interesi publik ishte ai që mori edhe goditjen më të madhe. Individi mund të bënte çfarë të donte për aq kohë sa nuk cënonte lirinë e tjetrit. Ndërsa interesi publik as që merrej në konsideratë.

Dhe këtë gjë edhe bëri. Duke urryer gjithçka që i shëmbëllente ose i sillte në kujtesë kolektivizimin e sëmurë, ai u shkëput nga disa vlera humane si dashuria, vetëmohimi, sakrifica për tjetrin etj, për t’iu përkushtuar më pas vetëm vetes, realizimit dhe përmbushjes së interesit personal, qoftë edhe në kurriz të interesit publik, edhe për faktin që interesi publik konsiderohej si armik i lirisë, i individualizmit.

Ky realitet u dëshmua edhe në sulmin e paprecedentë që iu bë pronës publike veçanërisht në Shqipëri. Edhe vjedhja që sot shqiptarët i bëjnë ‘shtetit’ është pasojë e këtij keqkuptimi. Te shumë njerëz sot, ai që vjedh ‘shtetin’ konsiderohet i aftë, i zgjuar, i suksesshëm.

Ky kapërcim i panatyrshëm drejt individualizmit, ka sjellë efekte të rënda, sepse ka dëmtuar rëndë kohezionin e brendshëm shoqëror.

Shumica e shqiptarëve shprehen se kanë vetëm një rreth të vogël njerëzish kryesisht familjarë, me të cilët kalojnë pjesën më të madhe të kohës të cilëve edhe i besojnë. Ndërsa pjesës tjetër, jo vetëm që nuk i besojnë, por i referohen si armik potencial. E ku ka jetë më pak cilësore dhe më pak të pashëndetshme se kaq!? E ku ka ‘ferr’ më të madh shoqëror?

Pra, është krejt e kundërta e marrëdhënieve shoqërore të para viteve ‘90, ku tjetri ishte shumë i rëndësishëm, për shkak se ishte si të thuash zgjatimi i yt. Shumë njerëz i referohen kohës së regjimit si “kohë e bukur “pikërisht për këtë, për shkak të solidaritetit njerëzor që egzistonte në atë kohë.

Mendoj që vitet 1988-1990 ishin vitet më të bukura për shoqërinë shqiptare, pikërisht sepse ishte koha ku lulëzuan vlerat që rrëzuan sistemin. Ishin pikërisht këto marrëdhënie njerëzore, që ishin më të forta edhe se ato të vetë partisë, që sollën rrëzimin e sistemit më të egër komunist. Pra, ishin marrëdhëniet e shëndetshme njerëzore, solidariteti njerëzor që solli ndryshimin dhe rrëzoi regjimin më të egër të kohës. Ishte ky kontekst që bëri të mundur lindjen e ideve të reja dhe ndryshimin e madh të viteve 1990.

Mungesa e kësaj marrëdhënieje të shëndetshme gjatë kësaj kohe, ka nxjerrë në pah militantizmin politik, si vlerë dhe identitet. Është fakt që në lagjet e vjetra dhe me homogjenitet, partia dhe identiteti politik nuk kanë ndikim, sepse përpara se të jenë anëtarë ose admirues të një force politike, njerëzit aty ndajnë hallet dhe të përditshmen e tyre.

Sot, për shkak edhe të lëvizjeve të mëdha demografike, në mungesë të një identiteti shoqëror, njerëzit veshin një identitet politik, nëpërmjet të cilit realizojnë edhe objektivat e tyre njerëzore. Identiteti politik bëhet një filozofi dhe mënyrë jetese, sepse nëpërmjet tij njeriu fiton rëndësinë e munguar. Sot, nuk është më e rëndësishme të të duan njerëzit, prandaj ndaj tyre nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie. E rëndësishme është të të dojë partia, prej së cilës ky lloj vemje ka fituar gjithçka. Jashtë partisë është asgjë.

Si pasojë, partitë politike janë bërë kënetat ku vegjetojnë njerëzit me më pak shtyllë kurrizore, me më pak dinjitet njerëzor. Të tillë njerëz, e vendosin politikën në qendër të jetës së tyre shoqërore, madje disa edhe shpirtërore. Kështu krijohet iluzioni që për gjithçka fajin e ka politika.

Nëse vërtet duam me sinqeritet të ndryshojmë politikën, kjo nuk bëhet nëpërmjet reformave mekanike, por duhet të ndryshojmë së pari kontekstin shoqëror ku lulëzon ajo. Duhet të ndryshojmë mënyrën se si e shohim veten, marrëdhëniet midis nesh. Duhet t’i rikthehemi vlerave njerëzore. Atyre vlerave, fuqisë së të cilave asnjë regjim, sado i pamëshirshëm qoftë, nuk i reziston dot. Vlerave të dashurisë, sakrificës, vetëmohimit, solidaritetit njerëzor. Vlera të tilla janë mbipartiake, mbipolitike dhe e detyrojnë politikën të respektojë sinoret e saj dhe nxjerrin në pah vlerat më të mira të një shoqërie.

Nevoja më e lartë njerëzore e hierarkisë së Maslow, realizimi i vetes, lidhet drejtpërdrejt, pikërisht me raportet që njeriu krijon me ‘të tjerët’.

Të fundit