Video-Intervista/ Ralf Gjoni rrëfen marrdhëniet me LSI: Meta mendonte se PD nuk do futej në zgjedhje. Pse e pranova mandatin e deputetit

Ralf Gjoni, deputet i ri i Kuvendit, pasi opozita zyrtare dogji mandatet dhe është hedhur në protestë prej shkurtit, në një intervistë për emisionin PolitikOn të gazetarit Alfred Lela thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje më 30 qershor. Ai e përjashton mundësinë e një pakti duke arsyetuar se “nuk ka më kohë për pakt”. “Zgjedhjet duhet të zhvillohen dhe ndërkombëtarët do e mbështesin fort zhvillimin e zgjedhjve. Do të dënohen ashpër ata që ushtrojnë dhe fryëmzojnë dhunë”, thotë ish-këshilltari i Metës.

Gjoni siguron së së shpejti nuk do të ketë më dy opozita, e reja dhe zyrtarja, si tani, por vetëm një dhe ata do të jenë opozita. Ai e mohon që vendimi përt t’u futur në Kuvend u mor si shenjë hakmarrjeje ndaj faktit që Ilir Meta e vuri të 11-tin në listën e Tiranës, në një pozicion të pamundur, në zgjedhjet e vitit 2017. I pyetur se çfarë i tha Meta kur i prezantoi atë renditje Gjoni rrëfen se shefi i tij asokohe e kishte siguruar se ‘do të ishte në parlament”. Meta, shton ai  “priste që PD të mos futej në zgjedhje”. Kjo do t’i jepte mundësi LSI-së që të kapte 11 apo 12 vende që zakonisht i shkojnë demokratëve në listën e Tiranës.

Deputeti i pavarur pranon megjithatë se 2017-a ka qenë momenti më zhgënjyes për të në karrierën politike. “Merre emrin tim nëse të duhet për listën”, tregon Gjoni se i tha Metës.

Sa i takon vendimit për të dalë kundër forumeve të LSI dhe për të pranuar vendin e deputetit, ai thotë se e ka bërë për një parim. I njëjti parim që e shtynte atë të kritikonte publikisht Erion Veliajn për betonin që po hidhte te Parku, edhe kur “Meta dhe Kryemadhi ishin të dashuruar me Lali Erin”.

“Më këkuan që të shkoja në parti dhe të plotësoja një formular ku të dorëzoja të drejtën time për të qenë deputet. Një letër pa asnjë vlerë juridike. U thashë që nuk ka shanse. Eshtë vendimi im, jo i partisë. Nëse vendimi është i partisë, KQZ le t’i drejtohet partisë, dhe jo mua”. Ky ka qenë shkëmbimi mes Gjonit dhe ‘njerëzve në LSI’ që i telefonuan, sipas rrëfimit të vetë ish-këshilltarit të Metës në Ministrinë e Jashtme.

Gjoni ka folur edhe për dallimet mes Kryemadhit dhe Metës të cilat, sipas tij, nuk se kanë nevojë të komentohen. Çdo shqiptar e di forcën që ka Ilir Meta. “Ai ka pas një tjetër peshë”.

Deputeti rrëfen për PolitikON edhe një detaj, të cilin thotë se nuk ka bërë publik asnjëherë më parë. “Në janar dhe në shkurt kam qenë duke bërë plane për t’u rikthyer në Londër bashkë me familjen. Po shihja për shkolla për vajzën”, tregon Gjoni.

Fati, me sa duket, kishte të tjera plane. Ai sot është deputet në Kuvendin e Shqipërisë.