Video/ Në Hong Kong nuk ka qetësi, përplasje mes policisë dhe protestuesve

Vazhdojnë protestat në Hong Kong, ndërsa autoritetet po përpiqen që të risjellin normalitetin. Turmat e protestuesve bllokuan rrugët duke injoruar urdhrat e policisë për t’u shpërndarë. Kjo detyroi forcat e ndërhyrjes së shpejtë që të përdornin gazin lotsjellës dhe plumba gome, për të detyruar shpërndarjen e turmës.

Si pasojë u plagosën disa persona, ndërsa dëshmitarët raportuan për gjëmime të forta dhe ulërima që dëgjoheshin natën. Qeveria njoftoi për 54 të plagosur, përfshirë dy që u shtruan në spital në gjendje të rëndë. Sipas Autoritetit Spitalor, 28 të tjerë u cilësuan në gjendje të qëndrueshme. Autoritetet anuluan fluturime sot në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut pas një demonstrate masive të organizuar nga protestuesit në aeroport:

“Lidhur me grumbullimet pa leje që trazojnë qetësinë publike, policia ka për detyrë, në bazë të ligjit, të veprojë, përfshirë shpërndarjen e protestuesve. Para se të vepronte, policia bëri paralajmërime duke i njoftuar protestuesit se mund të përdorej forca nëse nuk largoheshin, duke u dhënë njerëzve mundësi të shpërndaheshin para ndërhyrjes policore,” tha Sekretari i Hong Kongut për Sigurinë, John Lee.

Protestat vazhdojnë prej 10 javësh dhe filluan me kërkesën për të bllokuar një projekt-ligj për ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.  Por tani ato janë përshkallëzuar dhe protestuesit bëjnë thirrje kundër autoriteteve dhe për mbrojtjen e demokracisë.