Video/ Pjetri për ERTV: I kthej shkëlqimin qytetit me programin tim

Valdrin Pjetri, në një intervistë për ERTV më 26 qershor, e cila u realizua në një makine, duke lëvizur në rrugët, premtoi se do Shkodrës do t’i rikthejë  do t’i kthejmë shkëlqimin e dikurshëm.

Pjetri duke treguar për rrugët e amortizuara, lagjet me ndërtime pa leje, koshat e mbingarkuara me mbeturina që e kanë vështirësuar jetesën e banorëve në qendër të qytetit shprehet se “një problem emergjent për bashkinë e Shkodrës është infrastruktura rrugore. Po në qendër të Shkodrës kemi edhe ndërtime informale, pa leje që vështirësojnë hyrjen dhe daljen e banorëve në shtëpitë e tyre. Në rrugët e qytetit, shtylla dhe kabllo elektrikë janë vendosur pa leje duke rrezikuar jetën e banorëve. Neglizhenca e bashkisë së Shkodrës është fakt tashmë”.

“Bashkia ka gjerësinë e planifikuar të rrugëve që herët, por me kalimin e viteve qytetin e kanë shkatërruar ndërtimet pa leje, duke ngushtuar rrugët e lagjeve të ndryshme që e vështirësojnë jetën e banorëve”,  tha Pjetri.

Sipas tij, pushteti vendor është pothuajse inekzistent, sepse pastrimi i qytetit është A-ja e çdo bashkie.

“Shumë ankesa më vinin nga qytetarë edhe gjatë kohës kur isha prefekt, ata kanë akoma besim dhe shkruajnë vazhdimisht ankesa të situatës në qytet, por është fakt kjo situatë. Është gjynah që në 2019 njerëzit kërkojnë shumë pak, pastrim, rrugë të shtruara, shumë bazike, për vitin 2019”, – tha Pjetri.

Kandidati socialist duke folur për mungesën e çerdheve, kopshteve dhe shkollave në fshatrat e Shkodrës u shpreh se “në zonat periferike, të bashkisë re që shtrihet në 93 fshatra, ka mungesë shkollash në shumë fshatra dhe zona të urbanizuara së fundmi. Nuk ka as kopshte dhe as çerdhe. Nuk ka asnjë studim për zona që janë urbanizuar së fundmi, se sa banorë janë që të ndërhyhet për të ndërtuar një shkollë apo një kopsht”.

Duke u ndalur tek vizioni i tij për Shkodrën, Pjetri tha se “kam rreth një muaj që me stafin tim, inxhinierë, arkitektë, mësues, sportistë, menaxhues të zotë të sistemit banker, po ndërtojmë programin tim në 4 vitet e ardhshme. Ne kemi konstatuar veç infrastrukturës nga takimet me grupet e interesit, është vënë re edhe mungesa e investimeve në Shkodër. Rinia tenton të largohet nga Shkodra. Kemi ndërtuar një program edhe për të rinjtë shkodranë, duke i dhënë mundësi punësimi nesër edhe pranë institucionit të bashkisë Shkodër. Për herë të parë do të fusim skemën e financimit të startup-eve. Nëse një i ri ka një projekt për të nisur një biznes por i mungojnë financat, bashka do të ketë një staf të dedikuar, një drejtori të dedikuar vetëm për pjesën e financimit të tyre”.

“Kemi parashikuar ndërhyrjet në pjesën hyrëse të qytetit, që kjo të jetë dinjitoze për shkodranët. Ndërtimi i një sheshi në mes të qytetit për të organizuar aktivitete kulturore dhe argëtuese. Ka shumë shtëpi të vjetra shkodrane të viteve 1900, 1920 që janë të amortizuara, nuk është investuar në to. Nëse ne do vëmë në lëvizje ekonominë lokale, do të rritet interesi për to. Ne kemi nevojë që të nxisim bizneset e reja në Shkodër në raport me bashkinë”, – sqaroi Pjetri.

Ne, shtoi ai, kemi menduar ndërtimin e disa tregjeve, ku produktet të shiten në mënyrë të diferencuar, ku të shitet bulmeti, peshku, etj.

“Jo një treg që shkon dhe blen gjithçka aty. Kjo vlen edhe për shitësin për kushte me të mira, por edhe për blerësin që blen në një ambient më higjenik”, – tha ai.

Sipas tij, shumë bashki aplikuan me projekte të ndryshme në qeveri dhe fituan.

“Nuk është e vërtetë që qeveria nuk i dha fonde bashkisë së djathtë. Kemi shembullin e Tropojës, Bajram Curri ka një pedonale fantastike në kuadër të Rilindjes Urbane. Unë kam shkuar deri në zonën e Lekbibajt, atje lart pothuajse në mal, aty kemi rilindje urbane dhe kemi një shesh të vogël”, deklaroi Pjetri.