Flash News

KRYESORE

Video/ Politikanë, artistë e prokurorë, të ftuarit VIP në festën e Pavarësisë së SHBA

Mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Brigadave ishin të ftuar nga Ambasada Amerikane personalitete publike, politikanë, këngëtarë, aktorë, por dhe personalitete nga drejtësia, me rastin e 242-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ishte ambasadori Donald Lu ai i cili çeli ceremoninë. I veshur me një bluzë sportive dhe me atlete, Lu dha mesazhin e fundit para largimit nga Shqipëria drejt Kirgistanit, ku u shpreh i nderuar për punën në vendin tonë.

“Të nderuar zonja e zotërinj mirë se erdhët në festimin tonë të muzikës amerikane blues. Kjo traditë muzikore është mbi 100-vjeçare dhe nisi me afro-amerikanët. Jemi të nderuar që disa prej muzikantëve më të mirë të Shqipërisë do të interpretojnë sot këngët amerikane. Meqë ky është koncerti im i fundit i Ditës së Pavarësisë me ju, më lejoni të them që ka qenë një nder i modh që kam bërë këtë udhëtim me ju”, tha Lu në fjalën e tij para të pranishmëve që më pas kanë vijuar festën.

Të pranishëm në koncertin e përvitshëm  “RED,WHITE & BLUES”  ishin figura të rëndësishme të politikës, si Presidenti Ilir Meta, kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-presidenti Bamir Topi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, Floida Kërpaçi, deputetja e PD-së Dhurata Çupi, etj, shkruan Politiko.al.

Në event, nuk mungoi dhe kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku. Marku gjatë ceremonisë, qëndroi në sallë e shoqëruar nga një mike e saj, pa tavolinë, e distancuar nga politikanët, duke shijuar muzikën e Eugent Bushpepën.

Bushpepa ishte i ftuari special i mbrëmjes, i cili me muzikën e tij i dha gjallëri mbrëmjes. Por, bashkë me Eugentin kënduan dhe Kamela Islamaj dhe Anxhela Peristeri./Politiko.al/ 

Më poshtë Video

Të fundit