Video/ “Sot mjekët janë kombëtarja jonë”

Federata Shqiptare e Futbollit  ka publikuar një videomesazh kushtuar mjekëve dhe gjithë stafit mjekësor që është në vijën e parë në luftën kundër virusit vdekjeprurës COVID-19.

FSHF do të dhurojë bluza me emrat e tyre, për secilin nga ata që kanë luftuar në vijën e parë me koronavirusin, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje. Po ashtu, do i dhurojë fëmijëve të tyre 459 topa që të luajnë në kushte shtëpie.

“Në këtë kohë të vështirë, jemi shpirtërisht pranë tyre dhe familjeve të tyre. Federata e Futbollit, shpall simbolikisht 459 mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët e ambulancave dhe të gjithë  personelin e përfshirë si Kombëtaren tonë që po përballet me një “ndeshje” të vështirë, të pabarabartë e të padrejtë për jetën njerëzore. Emrat e tyre u shkruan për secilin në një fanellë të kombëtares shqiptare të futbollit dhe do u dhurohen këtyre heronjve të heshtur në shenjë vlerësimi, mbështetjeje dhe solidarizimi. Sot në Ditën Botërore të Shëndetit, fanellat e punonjësve tanë të shëndetësisë, mbushën fushën e stadiumit kombëtar Air Albania me mesazhin: MJEKËT KOMBËTARJA JONË! Emrat e tyre do të qëndrojnë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit si një kujtesë për sakrificën e tyre! Gjithashtu, Federata e Futbollit duke menduar fëmijët e tyre, do të shpërndajë edhe 459 topa që vogëlushët të mund të luajnë futboll në kushtet e shtëpisë,”– shkruan FSHF-ja.