Flash News

KRYESORE

Video/ Thaçi bën thirrje për qetësi pas arrestimit të Gjuriç, Vuçiç telefonon Putinin

Video/ Thaçi bën thirrje për qetësi pas arrestimit të

Situata në veri të Mitrovicës është qetësuar pas tensionit që u krijua me arrestimin nga policia kosovare të Marko Gjuriç, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Mediat serbe kanë publikuar pamje nga momenti i ndërhyrjes së policisë brenda sallës ku Gjuriç po zhvillonte mbledhjen me disa serbë të Kosovës.

Në video shihet se policia është provokuar nga mbështetësit e Gjuriç jashtë godinës, çka e ka detyruar të përdor gazin lotsjellës. Gjithsesi, brenda sallës janë regjistruar disa veprime jo normale të punonjësve të policës, të cilët godasin me armë në kokë të pranishmit që nuk po bënin rezistencë.

Pas ngjarjes, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriçit.

“Marko Gjuriç ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriç ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Për ngjarjen kanë reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zv/kryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, të cilët kanë theksuar se Serbia duhet të kuptojë që Kosova ka zot shtëpie.

Ndërkohë në Beograd kanë reaguar ashpër për ngjarjen.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe sipas mediave serbe, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, për ta njohur me situatën.

Bashkimi Europian ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, duke bërë thirrje për qetësi. 

Të fundit