Flash News

KRYESORE

Video/ West Side Family bashkpunim i ri me Dr.Florin

Gjatë mbrëmjeve të nxehta verore, nëse për një arsye apo një tjetër gjendesh i "ngecur" në Tiranë, ende në pritje të pushimeve. Në njëfarë mënyre kërkon të ndjesh apriori çlirimin dhe lehtësimin që të japin pushimet.

Mbrëmjet e Tiranës tashmë të njohura edhe të preferuara edhe për plot miq jashtë kufirit, të falin shpesh herë më shumë seç pretendon. 

***

Në hyrje të clubit, veshjet e bukura mbi trupat e hijshëm thellësisht femëror, trokasin fort gotat dhe takat e larta, teksa shpurpurisin me indiferentizëm skenik dhe klas flokët ndërkaq të shoqërojnë me shikim miklues e depërtues deri në detajin më të vogël.

Vetja krijon një distancë kilometrike me problemet e ditës dhe tingujt e fortë ritmikë të përcjellin, përmes një atmosfere bisedash të rrëfyera nga pranë plot jetë e sharm, në një oaz dëfrimi e zbavitje që duket si ajka e shijshme e jetës së natës.

Skena e strukturuar plot art, heshtet vetëm për një çast dhe më pas kumbon fort. Tinguj shumë të njohur burojnë prej andej e këngën "Mbi gjithçka" e dalloj teksa mbi gjithçka e mbi këto ajo shtrohet si amaneti i fundit i të ndjerit Dr.Flori.

Sot e kam dëgjuar mbi 10 herë këtë këngë dhe jam shumë i emocionuar-shkruante Dr.Flori, në lidhje me këtë këngë. Jam i sigurt, që edhe kur të plakem, kjo këngë do ma mbushë shpirtin... Landi, Miri, kudo që të jeni dhe çfarëdo që të ndodhi në jetë, ne do të jemi gjithmonë të tre me anë të kësaj kënge. E ka mbyllur me shumë ndjenjë ai, statusin e tij në facebook.

Në skenë buçasin tingujt dhe dritat vezullojnë mbi Landin dhe Mirin, ata që mbetën West Side Family ende. Me ritmin dhe vitalitetin e tyre u ballafaquan me një publik që e përpinte imazhin e tyre me admirin e përgjërim. Sikur të shihnin përkrah tyre edhe vetë Dr.Florin.

Mbrëmja rrodhi në një atmosferë tejmase të elektrizuar. Edhe sikur një për një të kishin përzgjedhur fansat e tyre më të zjarrtë, West Side Family, nuk do mund të drithëronte më shumë seç drithëroi atë mbrëmje.

Disa ditë më pas, kontaktova me Mirin dhe mu dha mundësia t'i takoja çunat e West Side. 

Thjeshtësia dhe qytetaria e tyre nuk kanë se si të lënë indiferentë. Ishin në punë e sipër dhe nuk 

desha t'i bezdis me shumë pyetje. 

Më thanë se po punonin për një bashkpunim të ri me Dr.Florin dhe u nënqesh pak hidhur. Por kjo u kapërcye nga teknikalitetet konkrete të projektit. Teksti i Florit dhe baza mbi të cilën punohej. Këto të fundit, nuk do të donin t'i bënin ende publike,pasi janë hërët në fazat e projektit, por më thanë se për bazën instrumentale po punonin edhe me Dj Sardin, një artist që djemtë e konsideronin vërtet të kompletuar e talentuar.

Zuri fill sakaq një bisedë miqësore, mes tre kryeqytetarësh të thjeshtë, që tek vargjet e shumta të këngëve gjenin jetën e tyre në rrokapujë të viteve.

U fol për fillesat e West Side Family, tematikat sociale të viteve të vështira '97, '98, e 99. Gjurmët e thella të këtyre viteve kanë shenjuar ditët tona. 

Vargjet e West Side u bënë refren në shumë lagje ku të rinjtë donin të ëndërronin fortë edhe pse me të ardhmen të kërcënuar nga plumbat që fluturonin në "Qiej pa fund e pa mbarim, fshihemi në ëndërr që të gjejmë shpëtim. Më mirë a më keq a më mirë do shkojë, jo s'di a më mirë a më 

keq do shkojë". 

Me vargjet e "Tingujt e jetës", "Deluzion" etj është shfaqur haptazi antidiferentizmi i një brezi që është ndërkallur që në fëmijëri në një andrallë që ndërlikuar hitorike e duhet të mbijetojë jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Do të jetojë, me të drejtat më bazike dhe mbi të gjitha të përjetojë dashurinë. Të vetmin ilaç të shpirtit.

West Side Family Chronicles

Jo më kotë tek ky grup, temat më të preferuara janë pikërisht dashuria dhe trajtimet social-filozofike. Këta djem kanë trukturuar atë që mund të quhet ditari urban i ditëve të tyre. West Side Family Chronicles. 

Kjo është edhe arsyeja pse një brez i tërë, identifikohej e identifikohet me të vërtetat e West Side Family. Me poezitë e tyre aq popullore dhe prekëse, me thjeshtësinë dhe afrimitetin që ndihet artistikisht në tinguj. Poezi që marrin një vlerë të përshpirtshme tanimë që edhe njëri prej autorëve të tyre ka ndërruar jetë.

"I mbyll syte dhe kerkoj te te ndjej, doren tende tek me ndjen 

I hap syte kerkoj te te gjej une ty, je engjell me jep jete 

Se qenia jote flet gjithcka me jep, kerkoj nje jete me ty 

Je jeta ime me jep shprese, shpirt jemi te dy."

...do të këndohet edhe më fortë në të ardhmen thonë të dy djemtë. Trashgëmia e West Side do gjallërohet dhe përtërihet, thekson Miri. Larg klisheve të himnizimeve të koka të jetës së luksit dhe të jetës fallco prej gagsterësh, që hasen rëndom në këngët moderrne shqiptare. Larg atyre ndjesive të ftohta që shprehen me "nuk ma ndjen e nuk ma nin". Ne ndjejmë dhe jemi me këmbë në tokë. Nuk duam të shpalosim milionat apo të shfaqim makinat dhe femrat e hirshme që na rrethojnë. Duam që atij brezi të pas 2000-shit, 17 ose 18 vjeçarëve që çudisin me marrëzitë e tyre nëpër clube, t'i përcillet një mesazh krejt artistik, më i kthjellët, më qytetar, e përsëris, më me këmbë në tokë, përforcon mendimin Landi. Jam i sigurt që këtë do të donte edhe Dr.Flori

Në fund të asaj shfaqeje të rrallë në një club të quajtur "Folie" në mes të Tiranës, aty ku gjithsecili përjetonte një copëz nga historia moderne e qytetit, rikthimin e zjarrtë të West Side Family, u luajt kënga "Mesazh". Ajo shënon plotë 15 vjetë në skenë. Gjithnjë ka hapur triumfalisht shfaqet e grupit, ndërsa këtë herë mbylli triumfalisht një të tillë. Në fund të saj djemtë përshëndetën me duart lartë kupën e qiellit, të shoqëruar nga të gjithë të pranishmët thellësisht të emocionuar, me një mesazh për mikun e ndjerë. Nuk do humbasë kurrë mesazhi yt Flori. Jemi ende bashkë./Reportazh nga Elis Buba/ Shqiperiaime.al

 

Të fundit