Vidhnin bagazhet e udhëtarëve, arrestohen dy punonjës të aeroportit në Rinas

Dy punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë procedohen në gjendje të lirë, pasi akuzohen për vjedhje të udhëtarëve.

Nisur edhe nga disa kallëzime dhe ankesa të administruar nga ana e Policisë Kufitare Rinas, policia arrestoi dy të rinj nga Tirana, pasi dyshohet se vodhën një sasi eurosh në bagazhet e pasagjerëve.

“Në kuadër të zbatimit të detyrave  të Planit të masave  “Për shtimin e masave të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas”, si dhe nisur edhe  nga disa kallëzime dhe ankesa të administruar nga ana e Policisë Kufitare Rinas  për vjedhje të pasurisë në bagazhe të udhëtarëve  të linjave ajrore,  Policia Kufitare e Rinasit ka organizuar punën për goditjen e  personave që kryenin këtë veprimtari kriminale.

Në bazë të  informacioneve të marra në rrugë operative se disa nga punonjësit e  sektorit të ngarkim-shkarkimit  të bagazheve në vendin e qëndrimit të avionëve në aeroportin “Nënë Tereza” – Rinas, dyshohet se kryenin vjedhje të pasurisë në   bagazhet e pasagjerëve të linjave të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor  “BAGAZHI I FUNDIT”.

Si rezultat u bë  arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  1. M. 22 vjeç, banues në Tiranë
  2. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.

Si dhe janë proceduar penalisht  edhe shtetasit A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez  në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të  ngarkim -shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore.

Më  datë 17.05.2019,  shtetasi H.E ka kallzuar në Komisariatin e Policisë Rinas, vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit,  vjedhje të cilën e ka konstauar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni.

Si rezultat i veprimeve operative dhe proceduriale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve  në Komisariatin e Policisë Rinas u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumës prej e 4550 euro, ku dy shtetasit e arrestuar dyshohet se në  bashkëpunim me njëri -tjetrin ja kanë vjedhur  shtetasit H.E nga bagazhet.

Po nga veprimet e kryera dyshohet se shteatsit e mësipërm  në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë  janë autorë të dyshuar edhe në disa raste të tjera vjedhje pasurie dhe konkretisht:

  • Vjedhjes së një sasi vlerash monetare të shtetasit L.J, më datë15.04.2019
  • Vjedhjes së një varse flori të shtetases A.Z më datë  24.04.2019
  • Vjedhjes së një varse flori  të shtetases D.H, më datë 13.05.2019
  • Vjedhjes së një sasi vlerash monetare paund shtetasit L.K, më datë 10.03.2019.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë”, sqaron policia.