Vijojnë “përplasjet” mes Beogradit dhe Prishtinës zyrtare; Vuçiç falenderon Palestinën për mosnjohjen e Kosovës, Haradinaj- Stublla: Serbia partner jo i besueshëm!

Marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, duket se nuk u ka dhënë fund përplasjeve mes Serbisë dhe Kosovës. Një gjë u vu re gjatë ditës së sotme, gjatë pritjes që presidenti serb Aleksandër Vuçiç i bëri ambasadorit palestinez në Beograd. Gjatë takimit, ndër të tjera Vuçiç ka vlerësuar qëndrimin që mban Palestina për të mos njohur Kosovën, duke falenderuar ambasadorin.

Menjëherë pas këtij gjesti të Vuçiç ka reaguar Ministrja e Jashtme e Kosovës, Mimoza Haradinaj- Stublla. Kjo e fundit është shprehur se Vuçiç ka shkelur pikën 15 të marrëveshjes me 16 pika të arritur në SHBA, e cila detyron Serbinë që për 1 vit të ndalë fushatën e mosnjohjes së Kosovës.

Për Haradinaj- Stubllën, e cila ishte dhe vetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Uashington gjatë marrëveshjes së 4 shtatorit, Serbia mbetet një partner jo i besueshëm pasi me veprime shkatërruese po shkel një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trump.

“Kosova ndjek me shqetësime të mëdha veprimet shkatërruese të shkeljes së pikës 15 të Marrëveshjes së Uashington ndërmjetësuar nga Trump.

Sot ai falenderoi ambasadorin palestinian Nabhan për ‘qëndrimin parimor mbi mosnjohjen e Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia mbetet një partner jo i besueshëm!”, ka thënë Haradinaj.

Por ndërkohë ky falenderim konfirmon se Vuçiç nuk e ka pritur aspak mirë njohjen e Kosovës nga Izraeli. Madje mediat izraelite kanë zbuluar se Serbia nuk do i përmbahet marrëveshjes së 4 shtatorit, për të hapur ambasadë në Jeruzalem, në rast se Izraeli njeh Kosovën, dhe madje Vuçiç s’ka për ta pranuar as këtë të fundit duke paralajmëruar kryeministrin Netanyahu.

Izraeli njihet për konfliktin që ka me Palestinën, teksa vjen ky takim i Vuçiçit me ambasadorin palestinian. Pritet të shihet çfarë reagimi do ketë nga SHBA.