Vijon situata kaotike në Kakavijë, shqiptarët, të bllokuar në radhë kilometrike, kalojnë natën në rrugë

Vijon të mbetet problematike situata në pikën kufitare të Kakavijës, për shkak të radhëve kilometrike dhe orëve të gjata të pritjes, për të kaluar në tokën greke.

Sot, shënohet dita e katërt që gjendja vijon të mbetet alarmante, sepse radhët e automjeteve të pasagjerëve, përfshirë gra e fëmijë, të moshuar e të sëmurë, presin në rrugë e në temperatura të larta për të kaluar doganën.

Shkak për radhët e gjata është bërë kushti që Greqia ka vendosur sa i takon kryerjes së testit për covid-19 para se çdokush të hyjë në territorin grek.

Gjatë natës pala greke ka ndërprerë punën, ndërsa mjetet kanë vijuar të shtohen pavarësisht situatës kaotike të krijuar prej ditësh.

Puna në palën greke nisi rreth orës 09.00 të mëngjesit për kalimin e qytetarëve, ndërsa mijëra qytetarë presin në radhë për të hyrë në Greqi, shumë prej tyre emigrantë që punojnë e jetojnë prej vitesh.

Radhë të gjata edhe në Kapshticë

Radhë të gjata janë krijuar edhe në pikën kufitare të Kapshticës. Mëngjesin e sotëm janë vënë re dyndje të automjeteve, duke shënuar edhe në këtë doganë radhë kilometrike.

Aktualisht, nga pala shqiptare po punohet me 8 sportele, kurse nga pala greke vetëm me tre të tilla, pavarësisht fluksit.

Edhe në këtë rast, radhët janë krijuar për shkak të tamponit që udhëtarët duhet të kryejnë para se të hyjnë në territorin grek.

Në një prononcim dje për mediat pas vizitës së saj dhe ‘inspektimit’ të situatës në Kakavijë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u shpreh se: “Kjo nuk ka lidhje me atë çfarë bëjmë ne pasi kjo është një situatë e krijuar nga nguti i udhëtarëve. Nuk është një situatë e krijuar nga qeveria. Rruga në kthim është e hapur dhe kushdo që nuk e përballon dot këtë situatë të kthehet. Kush nuk ka urgjencën për të udhëtuar brenda këtyre datave edhe duke pasur parasysh që është sezon turistik dhe jo muaj të ngutshme për punë do të ishte e udhës të mos udhëtonin duke mos bllokuar në zgjatjen e  radhëve”.