Virgjil Muçi boton në Beograd “Gratë e qiellit dhe të tokës”

Sidomos atij të rrjedhurit, tim shoqi, Zeusit. Se me të zë fill e gjithë kjo histori. Zeusi, që ta merrrni vesh ju o motrani, se ku gjeti një të lojtur nga mendtë e kokës që ia thoshin emrin Hesiod, i cili na e mbante veten për poet të madh atje në botën e vdekatarëve të rëndomtë, dhe e përdorte si medium t’iu përralliste gjepura me okë për punët e perëndive dhe bëma e tyre. Një natë mbasi piu verë e u bë xurxull sa s’rrinte dot më këmbë, Zeusi shkoi dhe e iu faneps në gjumë Hesiodit dhe i kërkoi të shkruante një poemë për zanafillën e zotave dhe trimëritë e tij, si e qysh ia mori pushtetin të atit, Kronosit, dhe u bë zot përmbi zotër më këmbë të tij. Shkurt e shkoqur një ditiramb për jetën e Zeusit që Hesiodi e titulloi Teogonia. Në një vend të poemës së vet, kur bën fjalë për lindjen e gruas së parë, ky i marri Hesiodi, na thotë se Zeusi e dërgoi femrën në tokë për të ndëshkuar njerëzit për fajin e kryer prej Prometeut që ua rrëmbeu zjarrin perëndive dhe shkoi e ua dhuroi njerëzve ngase iu dhimbsën. Pandora, kështu u quajt gruaja e parë, sipas Hesiodit na paskësh qenë një e keqe kaq e bukur prej së cilës nuk mund t’ia mbathje. Thënë me fjalët e atij të çmendurit, kështu lindi gjinia e mallkuar, soji i gruas.

Me këto fjalë Hera, motra dhe në të njëjtën kohë bashkëshortja e Zeusit shpjegon zanafillën e pabarazisë gjinore mes meshkujve e femrave, pabarazi që pas mijëra vjetësh sundon si një kanon i pashkruar edhe sot e gjithë ditën. Gjithçka shkon e zë fill në lashtësi: së pari, nga një pjesë teatrale e komediografit më të madh të antikitetit, Aristofanit, “Lisistrata” dhe, së dyti, nga një trill i atit të hyjve të Olimpit, Zeusit, i cili për të ndëshkuar një hy, Prometeun, dërgon mbi tokë femrën e parë, Pandorën, si një të keqe të pashmangshme; prej këndej, thënë me fjalët e Hesiodit, autorit të “Teogonisë” poemës rreth zanafillës së zotave: “lindi gjinia e mallkuar, soji i gruas”. Si një alegori të kohëve që jetojmë, Virgjil Muçi në sprovën e vet të parë dramaturgjike, komedinë me titull “Gratë e qiellit dhe të tokës” dhe nëntitull “#NgriKrye” i merr dhe i zhvendos këto ngjarje në kohët moderne, si për të na kumtuar se pak, në mos aspak, ka ndryshuar në shoqërinë njerëzore përsa i përket rolit dhe vendit të gruas në shoqërinë njerëzore. Sepse siç shprehet njëra prej heroinave të komedisë:

Po ta mendosh hollë-hollë, a nuk është dëshmia më elokuente e pabarazisë sonë në shoqëri pikërisht ai ligj i reklamuar aq fort e i ngritur në kupë të qiellit, madje edhe nga organizatat ndërkombëtare, që iu njeh të drejtën grave të përfaqësohen me aq e me kaq përqind në parlament, në qeveri e në administratë? Për mua nuk ka gjë më përçmuese e më fyese. Ky ligj, kinse emancipues e në përputhje me standardet më të përparuara demokratike, është shprehje e qartë e faktit se konsiderohemi pakicë, ashtu siç konsiderohen pakicat kombëtare në një vend, të cilat, natyrshëm, kanë nevojë për një kornizë ligjore që t’i mbrojë nga shumica e të bëj që t’iu dëgjohet zëri. Ndaj dua t’ju pyes: mos vallë edhe ne femrat jemi pakicë krahasuar me meshkujt?

E botuar në serbisht me titull “Žene neba i zemlje” nga shtëpia botuese “Dielli” dhe paraqitur në Panairin Ndërkombëtar të Librit që po zhvillohet këto ditë në Beograd, komedia do të botohet së shpejti në shqip nga Mapo editions.