Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
'Virusi Gerta' dhe 'Farmaceutikët' që u turrën të shpikin 'ilaçin kundër'
Alfred Lela
Ndryshe nga shumica e njerëzve, që u ndanë politikisht dhe prodhuan paragjykime apo gjykime për fjalimin në 'parlamentin rural' të Rigerta Lokut, unë jam magjepsur. Jo nga gjetjet e fjalëve dhe as nga pathosi me të cilën ato u shpërndanë; çka përbën atë që quhet 'teknikë e një fjalimi', por me diçka tjetër. Pikërisht me ndikimin apo emëtimin (përhapjen) e këtij fjalimi, atë që në gjuhën e internetit quhet 'gone viral'; e përkthyer në shqipen e portalishtes 'theu rrjetin'.
Kam pasë dëgjuar edhe herë të tjera për video virale, të përhapura në botë si viruse 'beninje', por isha mjaftuar me pozicionin e dëshmitarit të ftohtë; atij që e dëgjon një zë dhe habitet me pasionin e nxehtësinë e të tjerëve, më shumë se kërkon llavën që e shpërtheu atë vullkan dhe që futi miliona sy në ngasje.
Kësaj here më ndodhi mu nën hundë, madje pati edhe pjesëmarrjen time. Politiko.al ishte portali i parë që postoi, në faqen e Facebook-ut një video të fjalimit të Rigerta Lokut. Më shumë se një vendim ishte një intuitë, të cilën shpesh e thërret në skenë pavetëdija. 'Kjo është më mirë se 90 përqind e deputetëve 'të vërtetë', i thashë kolegut. Iu falëm vendimit për ta hedhur në faqe dhe në Facebook, duke i dhënë këtij lajmi pikërisht këtë teh, kontrastin e një amatoreje me 'profesionistët'. Pa qenë të sigurt se ishte lajm, dhe jo më se do të bëhej virale.
Nuk e di se çfarë është ai çast delikat, i pakontrollueshëm dhe i pushtetshëm, që çon në mpiksjen perfekte të asaj pike të vetme dhe unike që e bën një fjalim, një këngë apo një deklaratë, të pushtojë botën e të përputhet me miliona sentimente? Një përkufizim që ndoshta mund ta jepte Marshall Mc Luhan dhe askush tjetër.
Një spirale në formën dhe 'çmendurinë' e një gejzeri e pa videon e Rigerta Lokut në faqen e politiko të ndahej (share) 5481 herë, ndërkohë që kishte kaluar në radarët (reach) e 1.5 milion njerëzve, ndër të cilët 613 mijë kishin klikuar për ta parë videon. 17 mijë vetë i kishin dhënë pëlqej (like), dhe rreth 1200 kishin komentuar.
Një rekord për një portal të ri si Politiko.al të hapur para 6 muajsh.
Rigreta Loku e krijoi stuhinë e vet, e cila u ndesh me disa dige rezistence në shoqëri. Por trupa e madhe shoqërore nuk i tha ndal stuhisë, por u bë me të. Sepse e shihte veten të përfaqësuar dhe të përfshirë nga drejtimi i atij uragani. Pati edhe skeptikë e cinikë, që e konsideruan të gjithën si 'të stërparë e të stërthënë', dhe që punësuan terma pezhorativë, duke e asociuar malësoren nga Mirdita me fshatin, dhitë, dështimin në La Sapienza e kthimin në Prosek, e kështu me radhë.
Disa e bënë se e kujtuan Rigertën si mjet për qëllimet politike të Ramës dhe shpurës së tij, dhe disa të tjerë se ashtu janë: u ka vdekur brenda vetes mekanizmi ngashnjimtar i njohjes dhe i habisë.
Sturm und drang (stuhi dhe vrull) që krijoi fjalimi i Rigertës i përlau megjithatë moskuptimet dhe keqkuptimet e digave. Për faktin e thjeshtë se pika e mpikjes së saj ishte e panjohur, ndryshe nga e njohura e zakonshme dhe stërpërdorur e digëvënësve të saj: motivimi politik së pari, dhe mosbesimi apo kapja nga fryma e kotnisë që çon edhe në frustrim, së dyti.
Momenti i mpiksjes që gjeti Gerta ishte si pika e mbështetjes ku Arkimedi vendosi levën e famshme për të kryer lëvizjen (e botës). Të gjithë, çdo ditë, jemi arkimedë që kërkojmë atë pikë. Pse nuk e hasim për vete, nuk ka pse t'u nxjerrim sytë gjetësve, e t'i kthejmë ata kokërdhokë në pika për levën tonë (të së pamundurës).
Si çdo gjë e panjohur, që takohet diku në një pikë edhe me groteskun, kishte edhe situata për të qeshur. Digëndërtuesit kishin dalë të gjithë nga zanatet e tyre, cilatdo ishin, politikanë, gazetarë, opinionistë, fejsbukistë, bjerraditës kronikë, dhe kishin veshur të gjithë bluza të bardha.
Qenë kthyer të gjithë në njerëz të industrisë farmaceutike, nervozë, të menduar, në kërkim të ilaçit, të antivirusit për të ndalur virusin e fjalimit të Rigertës.
Bota duhej shëruar nga kjo e keqe e madhe, dhe ata ishin aty për njerëzimin.
Të shtunën, në ditën e gjashtë, nën një motiv thuajse biblik, Zoti krijoi fjalimin e Rigertës dhe deklaratën e Donald Lu. Mund të ishte bërë diçka me to. Duhej bërë.
Se pse u morën, si njerëz të farmaceutikës, me shpikjen e antivirusit, një Zot e di.
©Politiko.al