“Virusi po na çudit”, Albana Fico: Jemi pjesë e një studimi të OBSH për protokollet e trajtimit të COVID-19

Doktoreshë Albana Fico, pjesë e Task Forcës për koronavirusin, deklaroi në emisionin “Open” se në kuadër të përfshirjes së Shqipërisë nga OBSH në “Public Health Emergency Solidary Trial”, do të bëhet pjesë e një studimi klinik ndërkombëtar për të optimizuar protokollet e trajtimit të COVID-19.

“Është dakordësuar në disa plane, pasi janë bërë të gjitha eksperiencat lokale, ka ardhur koha nëse këto protokolle do të ndihmojnë. Pjesë e kësaj është edhe studimi i gjerë i kryesuar nga OBSH, ku bënë pjesë edhe Shqipëria”, shprehet ajo.

Për Dr. Albana Fico koronavirusi po çudit këdo, pas rastit të infektimit të një tigri në SHBA. Ndërkohë, ajo dha informacion dhe për dy mjekët, Kraja dhe Xhaxho, të infektuar me koronavirus.

“Situata në Shqipëri është e qëndrueshme. Koronavirusi po na çudit të gjithëve sepse për herë të parë shikojmë që ka një transmetim nga njeriu tek kafshët siç ishte rasti i tigrit. Situata e Shkodrës na tregoi se ne duhet të bëjmë akoma më shumë punë për thirrjen ndaj qytetarëve që të respektojnë masat e kërkuara.

Me profesor Dhimitër Krajan kam kontaktuar dhe është i njëjti siç ka qenë gjithë kohës, ka rezultuar negativ është mirë dhe është në humor. Kurse profesor Xhaxho është në gjendje të stabilizuar”, shprehet Fico.