Vjen reagimi i Ramës pas katër ditësh kaos në Kakavijë: Po komunikojmë me palën greke

Vjen reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën kaotike të krijuar prej katër ditësh në pikën kufitare të Kakavijës, së fundmi edhe në Kapshticë, prej radhëve kilometrike të udhëtarëve që duhan të hyjnë në Greqi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se autoritetet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren”, shkruan Rama.