Flash News

KRYESORE

Vjeshta e fundit trojane e Odiseut

Vjeshta e fundit trojane e Odiseut

Petrit Nika

Çastisi dhe kjo vjeshtë me shira e stuhi,

skaj fushës s’Eukrisë mbi zall janë shatoret,

si n’atdhe gjithë fiset me plaçkë e me sinore

tash dhjetë vjet i ha krypa e detit të zi.

Te zgavrat dergjen shpresat, apo shuhen prore;

s’ka ilaç për dhimbjen e fatosave të ri,

me angrra t’coptueme nga Hektor hyjnori,

dhe djelmnia e Trojës me zhgjeta mizore.

Janë djemtë e Mikenës, Itakës dhe Spartës,

djelmnia hyjnore nga Argosi, Eleuzina,

që vdesin n’mjerim pa Deus ex machina,

me plagët e malcueme prej skamit e lëngatës.

Baret Odiseu bregut plim me zgavra,

si kuaj të cofun - disa janë rrënue,

n’bark t’Poseidonit kanë për të mbarue,

shitue krejt nga lufta n’qymyr e kadavra.

Vjeshtë reumatizmale. Deti me erë e mnerë, pa Eros,

rreket të përlajë zgavra, shatore e kufoma -

me qindra histori stoike që do harrohen tevona,

përmbledhë thjeshtë në numra enigmatik në epos.

Të fundit