Flash News

KRYESORE

'Vjollca e Top'-it

'Vjollca e Top'-it

Alfred Lela

Top Channel është, ndoshta, e vetmja media kombëtare, që jo vetëm transmeton dhe prodhon lajme, por shndërrohet edhe vetë, shpeherë, në lajm. Një kthesë në qëndrime editoriale,  ikja/ ardhja e një drejtori apo gazetari të rëndësishëm, e me radhë, kthehen shpejt në lajme që marrin vëmendje të madhe.

Shtoji kësaj një 'mitologji të veçantë' të Top Channel, themeluar nga një ekzistencë e dyfishtë e themeluesit, Dritan Hoxha, i cili ka ka një jetë si i gjallë, por dhe një jetë si i vdekur. Historitë e tij, talenti, apo edhe ajo që njihet si 'amaneti i Tanit', i japin ndriçim kësaj përzierjeje që 'e kap lajmin' e para.

Nëse Tani ishte padroni, mos e shpërfill atë që u bë matronia e Top Channel, e ëma e pasardhësve të tij, Vjollca Hoxha. E dyshuar se mund të mbronte dhe çonte përpara një ent të madh dhe të fuqishëm mediatik, krijuar prej bashkëshortit, ajo është përplasur në brigjet e këtij dyshimi si individ. Por, askush nuk mund të thotë pa u dyshuar, se edhe anija e TCh është përplasur apo ka futur ujë.

Matronia, edhe në mos e pastë zhvendosur përpara, e ka mbajtur të paprekur anijen e madhe të Top-it. Në një botë mediatike ku konkurenca është e ashpër, aktorët e rinj dhe të vjetër kërkojnë ripozicionime të herëpashershme, ndërlikimet politike të pareshtura,  ruajtja e pozicionit dhe autoritetit duhet konsideruar progres. E mpakur edhe nga paragjykimi që ka një shoqëria si e jona për gratë dhe kapacitetet e tyre në  lidership, zonja Hoxha, në një vlerësim të ftohtë dhe të paannshëm, ia ka dalë të mbajë të fuqishëm televizionin më të fuqishëm shqiptar.

Te një gjë në dukje e vogël, te një togfjalësh i thjeshtë, qëndron edhe shpjegimi i historisë së ecurisë së saj: pronarja e TCh thirret rëndom në ambjente informale "Vjollca e Topit'. Nuk e ka shmangur apo zëvendësuar, nuk ka qenë ky qëllimi, por i është bashkëngjitur në udhëtim cilësorit, aq të zakonshëm për themeluesin, që njihej si 'Tani i Top'-it. Të dy, në një mënyrë treguese për kulturat urbane, janë bërë takuar sërish në 'bashkëpronësi'. 

Top Channel dhe familja drejtuese e tij janë një fenomen social dhe kulturor në Shqipëri, dhe jo vetëm përfaqësues apo pronarë të një korporate mediatike. Kjo e shtyn përpara atë që u cilësua si aftësi, jo vetëm për të prodhuar lajme, por edhe si kapacitet për t'u shndërruar në lajm. Trashëgimtarët e Dritan Hoxhës janë 'të përndjekur', me gjasë edhe të bezdisur, nga kureshtja për jetët e tyre. Pavarësisht pushtetit mediatik dhe pasuror, kjo nuk është diçka e zgjidhshme apo e kapërcyeshme. Vjen bashkë me statusin e formuar në magjen e psikologjisë njerëzore dhe pop kulturës.

Top Channel, për të kujtuar një shprehje tashmë ikonike të krizës ekonomike të vitit 2008, është si bankat e mëdha amerikane 'too big to fail' (shumë i madh për të dështuar). Sigurisht, konkurentët janë të interesuar që ai të dështojë, bash për faktin se është i madh. Por, ka një interes publik për të kundërtën. Kjo do të jetë ajo dora e padukshme që do ta mbajë timonin e anijes së Top Channel bashkë me pronarët.  

Vjollca le të jetë e Top-it, por Top-i, duke qenë edhe i publikut, nuk mund të trajtohet thjesht si 'histori me timon'.

Top Channel është interes publik.

Të fundit