Vlerësimi i KED/ Avokati i Shtetit merr pikët maksimale, drejt emërimit si kryetar ILD-së

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) kreu sot procesin e vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për postin “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”. Pikët maksimale i ka marrë Artur Metani  (89.6 pikë), e pas tij Sokol Stojani me 89 pikë. Në ditët në vazhdim, do të shpallet renditja finale dhe vendimet e arsyetuara për çdo kandidat.

Artur Metani aktualisht ushtron detyrën Avokat Shteti. Si figurë ka ngjallur debate, me PD-në që në muajin gusht i kërkoi KED-së që ta skualifikonte Metanin, pasi “kandidatura e Metanit për ILD është antikushtetues dhe antiligjore”.

Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë nga KED:

  1. Artur Metani 89.6 Pikë
  2. Eris Hysi 78.3 Pikë
  3. Joana Asimi Sorraj 82.5 Pikë
  4. Lindita Troja 63.4 Pikë
  5. Sokol Stojani 89 Pikë

Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen:

  1. a) Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
  2. b) Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme ato do t’i dërgohen parlamentit për votim.