Flash News

KRYESORE

Vrasja e ish-komisar Artan Cukut, gjendet prova e fortë që identifikon autorin

Vrasja e ish-komisar Artan Cukut, gjendet prova e fortë që identifikon

Kur ka kaluar një muaj nga vrasja në mënyrë makabre e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Artan Cuku, dalin në dritë detaje të tjera lidhur me atentatorin e tij. Hetimet, të cilat tashmë kanë kaluar në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe janë duke u udhëhequr nga prokurori Henrik Ligori, duket se janë në rrugë të mbarë për të identifikuar dhe vënë në pranga autorin e ekzekutimit të Cukut, ngjarje kjo e ndodhur më 8 prill të këtij viti, në hyrje të pallatit ku viktima banonte bashkë me familjen e tij. Burime të besuara pranë grupit hetimor bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se kanë gjetur prova të forta për të zbuluar identitetin e agresorit. Mësohet se vetëm pak ditë pas ngjarjes, rreth 500 metra larg pallatit ku u vra Cuku, hetuesit kanë gjetur bluzën e autorit të hedhur në një kazan plehrash, provë kjo e cila u dërgua menjëherë për ekzaminim. Ndërkaq, nga ana tjetër grupi hetimor është duke vijuar hetimet intensive për të zbuluar edhe shkaqet e vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Nga ana tjetër, pak ditë pasi ndodhi krimi, Policia e Shtetit publikoi për mediat dy video të ndryshme, në të cilat shfaqej autori i dyshuar i vrasjes, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve nëse e njihnin personin që ishte kapur nga kamerat e sigurisë, duke vënë në dispozicion edhe një shpërblim.

Bluza e gjetur në një kosh plehrash, vetëm pak metra larg pallatit “Melros”, në “Rrugën e Kosovarëve”, ku u vra Artan Cuku, duket se është prova më e fortë që hetuesit kanë në duar për të identifikuar autorin. Burimet e lartpërmendura thanë dje se, pikërisht kjo bluzë është e njëjtë me atë të djalit të ri që është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke hyrë në pallatin ku banonte Cuku para se të ndodhte krimi dhe duke u larguar më pas nëpër rrugica.

 

 

Të fundit