Flash News

KRYESORE

Vrasja e Oliver Ivanoviç, Thaçi telefonon Vuçiçin dhe e siguron për hetimet

Vrasja e Oliver Ivanoviç, Thaçi telefonon Vuçiçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin Serbisë, Aleksander Vuçiç, ku u fokusuan në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, por edhe për vrasjen dy ditë më parë të kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviç.

Gjatë bisedës telefonike të dy Presidentët u fokusuan në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike, thuhet në një postim në faqen zyrtare të rrjetitit social Facebook të Thaçit.

Një çështje e veçantë, e cila u diskutua ndërmjet të dy Presidentëve, ishte edhe vrasja e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) Oliver Ivanoviç.

Lidhur me këtë çështje Thaçi siguroi Vuçiçin se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje.

Thaçi gjithashtu theksoi se “organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”.

Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur.

“Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje”, nënvizuan dy presidentët.

Oliver Ivanoviç u vra dy ditë më parë veri të Mitrovicës. Ai pritet të varroset sot në Beograd. Politikani serb ishte përshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë.

Të fundit