Flash News

KRYESORE

Vrasje e politikanit Oliver Ivanoviç/ Këshilltari i Presidentit të Kosovës tregon arsyet

Blerim Shala, i cili është këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mendon se vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviç është bërë që në Mitrovicën e Veriut të ruhet e njëjta status-quo. Sipas Shalës, pas kësaj ngjarje Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë në përfundimin e përbashkët se situata në veri nuk mund të tolerohet më.

“Mendoj se vrasja e Oliverit, pavarësisht se kush e ka porositur dhe kush e ka kryer, është bërë që të ruhet njëfarë status-quo-je që të mos ketë kurrfarë përparimi, por mendoj se e ka arritur pikërisht të kundërtën, si askush deri tani. Mendoj, apo besoj, apo dua të besoj, se Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë deri te përfundimi i përbashkët se situata në veri nuk mund të tolerohet më, sepse megjithatë bëhet fjalë për qytetarë të rëndomtë të veriut të Kosovës, më së shumti për serbët që jetojnë atje dhe që janë të frikuar”, tha Shala në një emsion ne mediat serbe.

Nga ana tjetër, Shala bën apel për autoritetet lokale që të marrin masa konkrete, pasi Mitrovica e Veriut është shndërruar një vendstrehim për krimin, ndërsa hedh poshtë zërat se kjo ngjarje të këtë pasur motive etnike.

“Vakumi nuk tolerohet në drejtësi dhe siguri. Kur keni vakum, e s’keni kush e drejton gjyqësinë, kur s’keni kush t’i kontrollojë targat e makinave, kur keni polici e cila nisi të funksionojë jo para vitit 2014, atëherë keni një klimë të mosbesimit, keni klimë që mund të keqpërdoret. Dihet se kemi pasur vrasje edhe para vrasjes së Oliver Ivanoviçit, mendoj se qe një qërim hesapesh mes kriminelëve që kishin ardhur nga Serbia dhe madje një kohë jetonin në Mitrovicë të veriut. Pra, Mitrovica e veriut u bë njëfarë vendstrehimi për krimin”, pohoi ai.

Kujtojmë se Lideri i Partisë Serbi, Demokraci, Drejtësi” (SDP) Oliver Ivanoviç u vra para zyrës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës mëngjesin e 16 janarit, ndërsa ende nuk janë zbuluar autorët e kesaj ngarje.

Të fundit