Vuçiç ka Putin, Rama ka Erdogan; Tirana zbuloi dje strategjinë kundër Bashkimit Europian

Ditën e djeshme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte në Stamboll për të marrë pjesë në Kongresin Botëror të Naftës. Ai e paraqiti Shqipërinë si frontin e ri të naftës në botë, ndërsa në takimet dypalëshe me zyrtarët e lartë turq, shpalosi strategjinë do të përdorë kundër Bashkimit Europian.

Serbia po luan prej vitesh me BE-në duke i bërë presion me kartën ruse dhe deri më tani kjo strategji ka rezultuar e suksesshme. Beogradi ka avancuar drejt BE-së më shumë se secili fqinj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Procesi i Berlinit ka kaluar dukshëm në favor të serbëve, duke anashkaluar faktorin shqiptar.

E gjendur përballë kësaj situate, me një BE që nuk jep dot një datë të përafërt për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, edhe Tirana ka zgjedhur të përdorë të njëjtën strategji si Beogradi. Nëse Aleksandar Vuçiç ka Vladimir Putinin si alternativë ndaj Brukselit, Edi Rama nuk mund të kishte alternativë më të mirë se Rexhep Taip Erdogan.

Në Ballkan aktualisht përplasen interesat gjeostrategjike të tre fuqive, Bashkimit Europian, Rusisë dhe Turqisë. Pa ndihmën e faktorit shqiptar, Ankaraja e ka të pamundur të thellojë ndikimin e saj në rajon dhe Rama i është përgjigjur pozitivisht kësaj nevoje.

Argumentat e afrimit Shqipëri-Turqi janë të njëjta dhe po aq të forta sa ato që ekzistojnë për raportin e ngushtë Serbi-Rusi.

Shqiptarët dhe turqit kanë një marrëdhënie prej shekujsh me njëri tjetrin, pa i hyrë këtu interpretimit të historisë, kanë lidhje fetare, ekonomike dhe ushtarake. Turqia është mbështetësja kryesore e pavarësisë së Kosovës, mbështeti fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe nuk kundërshton hyrjen e shqiptarëve në BE.

Dy ditë përpara Samitit të Triestes, Rama tha gjatë takimit me kryeministrin turk se në katër vitet e ardhshme do të fuqizohet bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me vendeve. Më pas ai vizitoi selinë qëndrore të Turkish Airlines, ku u shpreh se diskutoi “për ecurinë e projektit ambicioz të ndërtimit të Linjës Ajrore Shqiptare, i cili tanimë ka hyrë në fazën e konkretizimit, me mbështetjen logjistike dhe teknike të kompanisë turke nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të Presidentit Erdogan”.

Këto lëvizje të Ramës janë një mesazh i drejtpërdrejt për Brukselin se paratë për zhvillimin e infrastrukturës, Tirana mund t’i gjejë edhe në lindje. Rama ka vendosur gjithashtu të paraqitet këtë vit në samit pa asnjë projekt infrastrukturor, si shenjë se nuk beson më në premtimet e BE-së për financime.

Se sa sukses do të ketë kjo strategji e Ramës për të zgjuar vëmendjen e BE-së ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor do të kërkojë kohën e vetë për tu kuptuar dhe kjo do të varet nga gatishmëria e Brukselit për hedhur ose jo para në rajon.