Vuçiç: Prishtina ka si qëllim që të marrë veriun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se situata në Mitrovicën e Veriut po bëhet gjithnjë e më komplekse. Kreu i shtetit serb u shpreh se vështirësitë më të mëdha të furnizimit në atë pjesë janë për shkak të taksës së vendosur nga Prishtina ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ai komentoi edhe hapjen e pikave të shitjes nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Për dy ditë me radhë, tregtarët serbë i mbyllën dyqanet dhe presidenti Vuçiç tha se kjo është bërë me qëllim që “serbët të harrojnë lidhjen me atdheun e tyre”.

“Objektivi kryesor i këtyre masave të Prishtinës, është ta marrë veriun e Kosovës, dhe të dëbojë popullsinë serbe nga mbarë Kosova”, tha Vuçiç.

Të hënën, tregtarët serbë në veriun e Kosovës, i mbyllën dyqanet pasi thanë se nuk posedojnë furnizim me mallra, për shkak të taksës 100 për qind të vendosur nga autoritetet në Prishtinë për mallrat nga Serbia.

Autoritetet në Serbi kanë thënë se veriu i Kosovës po ballafaqohet me “krizë humanitare”, por këto pretendime janë kundërshtuar nga ana e institucioneve të Kosovës, që e konsiderojnë këtë një “inskenim të Beogradit”.