Walker: Vuçiç si Milosheviçi, nga ata që beson se toka është e sheshtë

Ish ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, Wiliam Walker deklaroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç i përket atij lloji të politikanëve si edhe Slobodan Milosheviçi. Në lidhje me deklaratat e kreut të shtetit serb se “masakra e Reçakut ishte një trillim i Walkerit”, ai tha se Vuçiç e di të vërtetën e asaj çka ka ndodhur gjatë luftës, sidomos në Reçak.

“Nuk e di se ku bazohet ai. Më duket e çuditshme se si 21 vjet pas flasin ende për mua në Beograd. Në ato mënyra më ka përshkruar edhe Millosheviçi. Por, 21 vjet më pas, presidenti i Serbisë ende të flasë ashtu… Ai e di të vërtetën që ndodhi Reçak. Besoj se ishte ministër i Informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviçit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviçit”, tha Walker në T7, i cili me ironi shtoi se presidenti serb është nga ata njerëz që besojnë se toka është e sheshtë.

Ish ambasadori i OSBE-së foli edhe për situatën politike në vend dhe formimin e qeverisë.

“Kam takuar Vjosa Osmanin, kurrë më parë se kisha takuar por kisha dëgjuar shumë në diasporë për të. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për të, por sot është hera e parë që e takova.

Takova dy persona të tjerë nga LDK, të dytë doktor, një neurokirurg dhe një doktor të zemrës, por nuk më kujtohen emrat. Patëm një takim shumë pozitiv. Normalisht biseduam për negociatat mes Vetëvendosjes e LDK-së. Gjithçka që dëgjova nga ajo, më bëri te ndjehem më shume pozitiv se para takimit. Ajo është shumë impresionuese. Mendoj se nëse ajo është në krye te bisedimeve nga LDK, do të arrijnë marrëveshje. Me pëlqen fakti që është diçka që kam thënë për një kohë të gjatë. Është koha për një gjenerate të re të politikanëve të vijnë në krye të shtetit. Për këtë arsye kam provuar ta ndihmoj Vetëvendosjen para disa vitesh.”, tha Walker duke shtuar “Është mirë të shoh fytyra të reja, me ide të reja. Jam shumë më optimist për marrëveshje se kur jam zgjuar këtë mëngjes”.