Flash News

KRYESORE

Xhafaj godet Ramën, kërkon dëshminë e Berishës dhe Bashës për çështjen 'e nxehtë'

Xhafaj godet Ramën, kërkon dëshminë e Berishës dhe

Duket se akuzat e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për të implikuarit në trafikun e 613 kg kokaine të kapur në Maminas nuk janë lënë pa u vënë re nga Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. 

Xhafaj i ka kërkuar Prokurororisë së Krimeve të Rënda që të thërrasë për të dëshmuar kreun e Partisë Demokratike, Basha dhe ish-kryeministrin Berisha, si persona që kanë dijeni për porositësit e 613 kg kokaine. Kujtojmë që Basha dhe Berisha kanë akuzuar Olsi Ramën si të përfshirë në trafikun e kokainës të kapur në Maminas dhe se garancia vëllait të kryeministrit i është dhënë nga qeveria.

Në një letër drejtuar Prokurorit të Krimeve të Rënda, Besnik Hadarmataj, ministri thekson se “nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”.

Më tej në letër shkruhet, “Çmoj se ka interes të ligjshëm publik dhe posaçërisht për hetimin që është duke u kryer që, nga ana e institucionit që ju drejtoni, të thirren këta persona dhe të deklarojnë përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, faktet për të cilat kanë dijeni dhe provat, që ata zotërojnë për klanet kriminale të trafikut të drogës, përfshi edhe rastin e fundit të sekuestrimit të 613 kilogram kokainë’’, thuhet në letër.

Xhafaj më tej shprehet se është detyrim kushtetues i Berishës dhe Bashës t’i paraqesin Prokurorisë së Krimeve të Rënda faktet dhe provat që disponojnë, ndërsa thekson se Prokuroria do të ketë mbështetjen e Ministrisë së Brendshme për zbardhjen e çështjes dhe të implikuarve.

Kujtojmë që deri më tani kanë mbetur në burg vetëm shoferi dhe administratori i “Arbi Garden” (kompania e bananeve) ndërsa është në kërkim pronari Arbër Çekaj, i cili u arratis drejt Gjermanisë me bashkëshorten.

Të fundit