Flash News

KRYESORE

Xhafaj përgënjeshtron Ramën në Holandë: E njohim kriminalitetin shqiptar dhe do e luftojmë

Xhafaj përgënjeshtron Ramën në Holandë: E njohim

“Nuk bëhet fjalë që ne të pranojmë që të identifikohemi për propagandë si problem kriminal, apo ku ta di unë se çfarë. Kriminelët nuk kanë atdhe. Janë njerëz që bëjnë krime dhe të shkojnë të paguajnë sipas vendeve. Ne kemi për borxh të merremi me kriminelët në Shqipëri dhe nuk i ndajmë, a janë italian, a janë shqiptar, a janë grekë, a janë brazilianë. Ata të merren me kriminelët në vendet e tyre dhe mos të na shqetësojnë me këto ndarje. Kërkesa për azil apo krimet e kryera unë refuzoj t’i pranoj si aryse për të penguar të gjithë Shqipërinë. Refuzoj me forcë çdo përpjekje për të treguar me gisht një të ashtuquajtur krim shqiptar apo krim ballkanik.”

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama më 26 gusht të 2017-ës, e bërë në krah të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, në qytetin e Durrësit. Rama refuzoi me forcë që të njihte ekzistencën e “kriminalitetit shqiptar” dhe kjo deklaratë u pasua me disa të tjera në mediat evropiane.

“Kur bullgarët kërkonin anëtarësimin (në BE), ata ishin shteti që tentuan të vrisnin Papën. Ishte kudo (në media). Rumunët ishin shteti fajtor që bënë Evropën të zbulonte prostitucionin. Tani ne duhet të merremi me përfytyrimin e diçkaje speciale në ADN-në tonë që lidhet me krimin”, do të deklaronte Rama në intervistën për ‘Politiko.eu’ më 20 mars të 2018-ës.

Në intervistën e dhënë për 'BBC', më 9 maj të këtij viti, Rama ka ndryshuar dukshëm nga pozicioni i mbajtur në krah të Hahn, vitin e kaluar. Në deklaratën e 26 gushtit ai kërkonte që shtetet të merreshin vetë me kriminelët që kishin brenda dhe “të mos e shqetësonin me këtë ndarje”, por së fundmi ai kërkon bashkim të evropianëve kundër krimit. Gjithsesi, ndonëse nuk e përmend ekzistëncën e “kriminalitetit shqiptar”, Rama thotë se nuk e mohon këtë problem: Unë nuk po e mohoj këtë problem, por e kemi dëgjuar këtë lloj etiketimi edhe më parë në histori. Një herë e një kohë, italianët në Amerikë shiheshin vetëm si picierë dhe mafiozë, por e vërteta ishte shumë më komplekse. Nuk duhet të harrojmë që krimi i organizuar nuk është një fenomen kombëtar, i kufizuar brenda kufijve shtetërore. Është një fenomen mbarëkombëtar. Kriminelët kanë Bashkimin e tyre Europian, kjo është arsyeja përse Bashkimi ynë Europian duhet të jetë sa më i fortë dhe i ndërlidhur që të jetë e mundur, për të luftuar në mënyrë të suksesshme kundër krimit.

Rreth dy javë pas deklaratës së kryeministrit Rama për BBC, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i ka dhënë një goditje të fortë kryetarit të Qeverisë.

Xhafaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Holandë së bashku me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku kanë raportuar në Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit holandez.

Në deklaratën e përbashkët të publikuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, thuhet se, Shqipëria e njeh “kriminalitetin shqiptar dhe ka të gjithë vullnetin për ta adresuar”.

“Kriminaliteti shqiptar në Holandë ishte një tjetër çështje e ngritur nga parlamentarët në këtë takim. Në përgjigje të saj, Ministri Xhafaj u shpreh se ne e njohim këtë shqetësim dhe kemi gjithë vullnetin e duhur për ta adresuar atë. Për vetë natyrën e këtij kriminaliteti, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona, është më se i domosdoshëm”, thuhet në njoftim.

Ne jemi të gatshëm, u shpreh Ministri Xhafaj, të dërgojmë në Holandë grupe oficerësh policie, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre holandezë të zhvillojnë analiza për situata konkrete që lidhen me kriminalitetin dhe emigracionin e paligjshëm.

Ndonëse Xhafaj ka kërkuar në Holandë “analiza dhe hetime të përbashkëta bazuar në të dhëna konkrete dhe jo në perceptime”, qëndrimi i tij për ekzistencën e “kriminalitetit shqiptar” është dukshëm i ndryshëm nga ai që kryeministri Rama ka mbajtur këto dy vitet e fundit.

Nevoja për të hequr veton e Holandës për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, po detyron Qeverinë shqiptare që të kapërdijë fjalët e saj dhe të dalë me qëndrime kontradiktore, pak ditë pas vetë Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e akuzuan këtë shtet për stigmatizim të Shqipërisë.

Ka bojkotuar mediat shqiptare, Fatmir Xhafaj mesazh nga Holanda: Kemi goditur 9 grupe kriminale, 5 të tjera janë nën hetim

Të fundit