Yuri Kim sërish mesazh për Reformën në Drejtësi, këtë herë flet për pengesat

Ambasadorja e SHBA ka dalë sërish sot me një tjetër mesazh për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Ky mesazh i kryediplomatres amerikanë në Tiranë vjen pas takimit me Kolegjin e Posaçëm të Apelit, duke u kërkuar të vazhdojnë punën me përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve, ndërsa kërkon që Reforma në Drejtësi të vijojë përpara pavarësisht pengesave.

“Kolegji i Posaçëm i Apelit ka një punë të vështirë, por vettingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve. SHBA mbështet reformën në drejtësi. Le të vazhdojmë përpara, hap pas hapi, pa marrë parasysh pengesat”, shkruan Kim.

Edhe dje, Kim u shpreh e prerë dhe ultimative ndaj politikës shqiptare, duke u kërkuar që të realizojnë Reformën Zgjedhore dhe atë në Drejtësie, pasi janë kushti për të qenë pjesë e BE.

“Mesazhi është i qartë, SHBA duan që Shqipëria të jetë aleat i fortë, i aftë i SHBA, dhe duam që të jeni pjesë e familjes evropiane.

Nuk mund ta keni pa reformë zgjedhore dhe reformë në drejtësi. Këto të dyja nuk janë dicka për t’u bërë pazare, janë domosdoshmëri dhe e ka ardhur koha të reshtet për lojëra dhe të realizohet reforma në drejtësi dhe të realizohet reforma zgjedhore sikurse drejtuesit politikë i kanë premtuar popullit shqiptarë dhe njësoj si SHBA e shqiptarët e presin”, u shpreh e prerë ambasadorja Kim.

Po ashtu, më herët, ambasadorja ashpërsoi tonet, kur ngriti dyshimet për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë reformën në drejtësi të mos jenë të vërteta. “Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë,“- shkroi Yuri Kim.

Pas thirrjes së Kim, opozita jashtëparlamentare deklaroi se do të jetë sërish në mbledhjet e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, pasi mungoi në takimet e parashikuara për shkak të tensionimit të klimës politike me shembjen e Teatrit Kombëtar.