Flash News

KRYESORE

Zbardhet nga kamerat plagosja e trefishtë në Vlorë, dyshime për vrasës me pagesë

Zbardhet nga kamerat plagosja e trefishtë në Vlorë, dyshime

Atentati i të dielës në Vlorë, që për pak u mori jetën e tre personave, mes të cilëve edhe një fëmije 8 vjeç, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë. Kamerat e sigurisë së një karburanti, por edhe të disa bizneseve përreth vendit të krimit, kanë fiksuar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Një makinë tip “BMW”, me xhama të zinj, e ka pritur shënjestrën. Më pas, dy persona që kanë qenë me maska, kanë qëlluar me armë automatike makinën tip “Benz”, me targë VL 6368 C, që i përkiste shënjestrës së këtij atentati, Ferdinand Llanajt. I plagosur lehtë mbeti edhe djali i tij, B. Llanaj, si dhe 50- vjeçari Dritan Bega. Autorët kanë qëlluar nga pjesa anësore dhe ballore e “Benz”-it, duke e bërë shoshë atë. Në këtë moment është kundërpërgjigjur me zjarr 39-vjeçari Llanaj, i cili ka dalë nga makina. Por për shkak të plagëve të shkaktuara në trup, ai ka humbur ndjenjat, duke rënë në tokë. Policia e sekuestroi armën e tij, pistoletë, dhe dje i komunikoi Ferdinand Llanajt arrestimin për armëmbajtje. Ai është marrë në pyetje për atentatin e ndodhur, që e pati në shënjestër, por Llanaj nuk ka dhënë shumë detaje, përveçse ato që vetë policia i kishte si të dyshuara sa u përket pistave të hetimit.

“Nuk i kam parë autorët… Duan të më eliminojnë. Dyshoj se ndodhi për hakmarrje”, është shprehur 39-vjeçari për grupin e hetimit, duke tentuar në këtë mënyrë të “legjitimojë” edhe armëmbajtjen. Familja e tij është në hasmëri pas disa ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në Vlorë. I vëllai, Aleksandër Llanaj, është në burg si autor i “Masakrës së Çoles”, ndodhur në prill të 2015-s. Ndërsa babai i tij, Baftjar Llanaj, u vra në vitin 2011 për hakmarrje, pasi në vitin 2005 kishte vrarë një tjetër shtetas në Selenicë.

Burime nga grupi i hetimit në Vlorë bënë të ditur se Ferdinand Llanaj ndodhet ende në gjendje kritike, pasi nga breshëria e dy armëve automatike ai ka marrë 10 plumba në trup. Fatmirësisht, plumbat nuk i kanë prekur organet jetësore. Ndërkaq, i plagosuri tjetër Dritan Bega ka marrë 4 plumba, por është jashtë rrezikut për jetën. Një plumb i ka prekur krahun edhe djalit 8-vjeçar të Llanajt, por plaga mund të konsiderohet më së shumti si një gërvishtje. Policia ka shoqëruar deri më tani 10 persona, por sipas të dhënave, ata janë pyetur në cilësinë e dëshmitarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:30 të së dielës, kur në rrugë kanë qenë dhjetëra qytetarë.  

 

Të fundit