Flash News

KRYESORE

Zbulohet formacioni kundër Francës. Si do të rreshtohen kuqezinjtë

Stërvitja e fundit në “Stade de France” ka shkuar sipas parashikimeve për trajnerin kuqezi. Tashmë Edi Reja ka lënë pas thuajse të gjitha dilemat, duke filluar nga porta deri në majën e sulmit. Edhe dyshimet për gjendjen e Sokol Cikalleshit janë shuar, pasi sulmuesi kavajas ka shfaqur një formë të mirë në seancën e fundit, duke lënë pas problemet fizike. Sipas “Panorama Sport” Reja është bindur për të hedhur pesë lojtarë mbrojtës të mirëfilltë që nga minuta e parë.

Ndërkohë, balotazhin në portë duket se e ka fituar Thomas Strakosha. Numri një i Lacios do të ulë në stol Etrit Berishën, i cili në fakt po kalon një formë të mirë në javët e para të kampionatit italian me SPAL-in. Sa i përket mbrojtjes, krahët do të mbulohen nga Hysaj dhe Binaku, ndërsa treshja e qendrës do të jetë me Ismajlin, Mavrajn dhe Gjimshitin.

Në mesfushë do të ketë më shumë muskuj, tek sa do të luajnë për herë të parë së bashku në një ndeshje të Kombëtares: Abrashi, Bare dhe Ramadani. Sa i përket sulmit, Reja duket i vendosur për Balajn dhe Uzunin, por nuk përjashtohet mundësia që beratasi ta nisë nga stoli dhe në vend të tij të luajë Cikalleshi.

Të fundit