Zeqo: A do të dorëhiqet Rama dhe cilat janë dy figurat që mund ta zëvendësojnë

Shkrimtari dhe akademiku i njohur, Moikom Zeqo ka folur për situatën politike në Shqipëri.

Në një intervistë për ‘Panorama’, ai mendon se në mars priten zgjedhje të parakohshme me ndërhyrje të ndërkombëtarëve, pasi i cilëson ato të domosdoshme për vendin.

Po ashtu, Zeqo flet edhe shkakun pse Rama do të vazhdojë të jetë kryeministër referuar Statutit aktual dhe se kush do të mund ta zëvendësonte në rast se jepte dorëheqjen.

“Së pari, Rama s’ka për të dhënë dorëheqjen e për këtë jam i sigurt, por nëse e marrim në formë hipotetike, është e sigurt se figura për të luajtur rolin e kryeministrit ka mjaftueshëm brenda PS. Jo nga deputetë, por nga elektorati. Edhe pse herë pas here shfaqen si kundërshtarë të Ramës, nuk kanë ndonjë prespektivë se kanë limitet e tyre. Psh, janë 2-3 kandidatura si Bushati apo Xhafaj, por mundësitë e tyre janë të limituara sepse pjesa më e madhe e forumeve të PS është caktuar nga vetë Rama.

Mirëpo, jam i bindur se s’do ketë vakum dhe nuk ekziston një formulë e tillë. Askush nuk është i pazëvendësueshëm,  edhe Rama, ashtu si të gjithë. Në muajin mars, mendoj se bëhen zgjedhje të parakohshme në të cilat ai do të hyjë si kryetar partie. Sepse ne jemi në një situatë të tillë ligjore ku të jesh kryeministër duhet të jesh edhe kryetar partie, ndaj nuk është e drejtë. Me ndryshimin e Statutit i kanë rregulluar punët në mënyrë të atillë që kreu i partisë të jetë edhe kryeministër. I kanë limituar mundësitë, ndaj ai s’ka për të dhënë dorëheqjen”, shprehet Zeqo.