Zgjedhje nuk do të ketë, por as fund të tranzicionit. Pse Meta e mban gjallë atë (por edhe Ramën e Berishën)

Marsel Lela

Për ta mposhtur Berishën, Rama mblodhi të gjithe ata që janë sot bashkë për ta mundur atë: përfshi Metën. Nën atë logon e ylbertë që bëri famëkeqe Muc Nano: Aleanca e Qelbësirave.

Pas nje pushimi të ndermjetëm të mundësuar nga një ndërmjetësim, marrëveshja Rama-Basha, palët janë kthyer, të vjetra, të egërsuara, te rimishëruara në drejtësinë e padrejtësive të veta, duke dashur të shtrydhin qelbin personal, por duke ruajtur,  të rëndë dhe ciklike gangrenën sistemike të tranzicionit.

Ilir Meta ka bërë, sigurisht, një akt çlirues me dekretin e zhdekretimit, por a është demokracia shqiptare ‘gjithmonë gati’ që t’i presë zgjidhjet e krizave nga të njëjtët aktorë që janë, ose kanë qenë shkaktarë, direkt ose indirekt, të krizave?! Presidenti ka bërë bash këtë, ai ka ‘vrarë’ Ramën duke mbajtur gjallë modelin e tij. Jo vetëm të tij, por edhe të vetes. Edhe të Berishës.

(Paradoksalisht të tre këta aktorë politikë janë rimishërime të Enver Hoxhës, jo të Ramiz Alise. Këtij të fundit i ngjan më shumë Basha. Ai është ‘trashëgimtari’, që edhe mund ta kapërcejë tranzicionin, si Alia komunizmin, por e ka të vështirë për shkak të ‘Byrosë’. Siç mund ta keni kuptuar, të dy kanë humbur, ngaqë, Komunizmi dhe Tranzicioni, ja ku janë, këmbëkryq mbi shpirtin në hjekë të Shqipërisë).

Që të tre tipat politikë, një përzierje e modeleve konfliktuale, voluntariste, personalizuese, autoritariste janë alfa male-i dominant politik. Koha i refuzon, por Shqipëria i pranon. Që Meta na ka ofruar një zgjidhje akute, ky është vetëm një ngushëllim i castit, një leukoplast mbi një plagë, një ripaketim i Tranzicionit. Ad hoc dhe post hoc, kjo e Metës nuk është një zgjidhje, por një zgjedhje. Ne e zgjedhim sepse na bart më shpejt te papërgjegjshmëria jonë tipike dhe te interesi që çmon jo zgjidhjen, por zgjedhjen, jo përmirësimin, por shpëtimin. Meta shpjegon tipin politik dominant të shqiptarit që njëjtësohet edhe me Ramën, Berishën, Enverin.

Kush i adhuron këto personazhe dhe i sheh të ndryshme prej njëri-tjetrit ka më të fortë shpjegimin se kuptimin ( për të marrë pak nga Mjelma e zezë-Ndikimi i më të pamundurës së Talebit). Të mos kemi iluzione: Meta nuk ka shpëtuar demokracinë, thjesht sa ka mbajtur të gjallë kontrollin e premisave të saj, nga të njëjtat duar.

‘Gishtat obezë’ të Tranzicionit do të luajnë kasetën e përgjimeve. Njëherë të Priftit kundër Metës, e cila dënon Ilirin dhe dëmton Doktorin; tjetrën të Niçes, Nënjeriut të Tranzicionit (cit. Alfred Lela), që na e shfaq edhe njëherë Ramën një Edibabë me 40 hajdutë, dhe na zbulon jo se të gjithë janë njëlloj, por se ai që vjen me premtimin e më të ndryshmit sosh, por edhe me mesianizmin e Drejtimit të Duhur, është vetëm Gabrieli, jo engjëlli i rënë, por dreqi vetë që me anë të shajnive mundohet të na bindë se nuk ekziston.

Sidoqë të jetë: Mirësevini te Tranzicioni Shqiptar 2.0. Në të gjithçka lëviz, por asgjë nuk ndryshon.