Flash News

OP-ED

Zgjedhje të parakohshme: Radikalët kundër Raskalëve

Zgjedhje të parakohshme: Radikalët kundër Raskalëve

Alfred Lela

Lulzim Bashës, me gjasë kundër stilit dhe personalitetit të tij, do t'i duhet të impostohet drejt qëndrimeve radikale opozitare. Një këshillë, te e cila nuk e ndan dot keqdashësinë me dashamirësinë, i është përshpëritur shpesh (publikisht!) dhe verdikti i saj ia 'ndalon' opozitarizmin 'ala Berisha'.

Qëllon që lloji i opozitarizmit që bën nuk mund të jetë zgjedhje dhe këto kohë i tillë paraqitet rasti. Opozitarizmi edhe mund të të zgjedhë ty, në kuptimin që doktrina e këshilluar bie para 'logjikave' që imponojnë koha dhe rrethanat.

Një Bashë 'by the book', pra teorik, në përpjekje për një opozitarizëm post-berishian mund të jetë një iluzion. Duhet theksuar se opozitarizmi i shefit të PD duhet të jetë post-berishian dhe jo anti-berishian, ky i fundit një postulat i improvizuar në kampin kundërshtar të demokratëve, apo ndër ata që ditën i qajnë hallin dhe natën i hapin varrin kauzave opozitare.

Ka dy lloj liderësh në politikë: njëra tipologji është ajo e liderit që 'sjell kohën', dhe tjetra ajo e liderit që 'e sjell koha'. Basha është te lloji i dytë, dhe sa mirë kështu, duke qenë se dëmet më mizore Shqipërisë ia kanë sjellë pikërisht udhëheqësit që kanë menduar se janë apo janë pompuar si liderë që prodhojnë kohën e vet. Në historinë e Shqipërisë, përveç 'beut të Matit', nuk ka patur 'prodhues kohe' që nuk e kanë zhbërë më pas këtë në hapësirë. Dmth që nuk e kanë qeverisur Shqipërinë në favor të tekave apo paranojave vetjake dhe ekzigjencave të klikave. Ka në Tiranë që mendojnë se 'reformatorët e mëdhenj' në Shqipëri janë si modelet e makinave, që vijnë të rinj e tundues çdo katër vjet, por këto janë qëndrime ditirambistësh profesionistë.

Koha shqiptare e sotme sjell në politikë nevojën për rezistencë dhe radikalizëm, në orën e Lulzim Bashës si lider i formacionit opozitar. Opozita është kujdestarja e popullit në kohë krizash apo në orët e kohëve të mbrapshta. Sidomos kur mbikqyrësja, që është qeveria, e ka kurdisur kohën shqiptare në antiorar. Paradoksalisht, ajo që Rama me të tijtë, gjatë ditëve të fundit, kanë menduar si 'exit strategy' nga kaosi i një kohe që vepron në dy kohë, ka shërbyer si shenja e madhe se 'ora e Shqipërisë' nuk mund të riparohet si një makinë, një palë këpucë, apo një rubinet çesme.

Vala e arrestimeve të fundit, që nga Rexhep Rraja deri te 'klani Noka' kanë hedhur dritë, pa qenë ky qëllimi, te 'mëkati fillestar' i këtyre individëve. Para se të ishin raskalë të dashurash apo tokash në bregdet, ata e kanë ushtruar agresivitetin mbi proceset zgjedhore në zonat e tyre. Duke pasë qenë pjesëmarrës në shtrembërimin e vullnetit të tjetrit për të zgjedhur, ata janë veshur me pushtetin vijues që u ka dhënë qëllim dhe forcë që t'a mendojnë si gjë më të vogël shtrembërimin e tapive apo dashurive.

Arrestimet, të cilat qeveria i ka parë si mundësi të mirë Pi-ari, për t'iu larguar njëjtësimit në perceptim me krimin, kanë prodhuar gjithashtu një efekt antiorar: dekonspirimin e asaj që është në thelb të krizës, votën e transformuar.

Ato që lideri i opozitës ceku dje në Shkodër, prospektin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të njëjtën kohë me vendoret (qershor 2018), mundësinë e bojkotit përfundimtar të Kuvendit, radikalizmin etj, por edhe kërkesën, tashmë të përsëritur, se duhet një marrëveshje politike janë të vetmet masa të 'kujdestarit' për ta shpëtuar vendin nga raskalët e zgjedhjeve dhe zgjedhjet e prishura.

Koha është e radikalëve kundër raskalëve. Platforma e radikalizimit, nëse në PD po mendohet apo punohet për të, duhet të jetë jo vetëm post-berishiane, në kuptimin politik, por edhe post Vizion2000, ku duket se ka mbetur ora e komunikimit publik të Partisë Demokratike.

 

*Raskal- një person pa parime dhe i pandershëm.

Të fundit