Zgjedhjet amerikane dhanë një provë se si PS i bleu votat në Shqipëri (që Lu nuk e pa)  

Fitim Zekthi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet me fushatat elektorale më të kushtueshme në botë.  Ligji zgjedhor i secilit shtet është aq i rreptë, megjithatë, sa nuk lejon asnjë qindarkë apo cent që të mblidhet dhe shpenzohet pa u deklaruar. Në një fushatë zgjedhore në SHBA angazhohen strategjistë zgjedhorë, analistë sondazhesh, këshilltarë politikë, shkrues fjalimesh, aktivistë etj. Numri i të punësuarve për një garë të rëndësishme Senati mund të shkojë deri në qindra apo deri edhe mijëra.

Fushata në televizione, takimet, reklamat dhe sportet elektorale, debatet televizive etj., janë të shumta. Kjo e bën fushatën në SHBA të kushtueshme, por edhe shumë të bukur dhe të fortë. Në zgjedhjet e fundit, për shkak të luftës shumë të ashpër politike mes demokratëve dhe Presidentit Trump fushata ishte mjaft e fortë dhe e shtrenjtë. Kjo bëri që pjesëmarrja në zgjedhje të ishte jashtëzakonisht e lartë, e paimagjinueshme më parë, duke shkuar në 114 milionë votues, ndërkohë që në zgjedhjet e mesmandatit të parë të Presidentit Obama pjesëmarrja ishte 83 milionë.

Shqipëria është një nga vendet me fushatat zgjedhore më pak të bukura, me fushatat zgjedhore ku një kandidat, qoftë edhe ai për Kryeministër, ka të punësuar si analistë sondazhesh, strategjistë elektoralë, shkrues fjalimesh, këshilltarë politikë, sondazhistë etj., më pak se 10 vetë. Shqipëria është vendi ku fushatat elektorale shpenzojnë për spote, për reklama, për postera, shumë para, por duke ditur se çmimi i një spoti në ABC, në NBC, në Fox News, në PBS, në CBS etj., është marramendësisht i pakrahasueshëm me ato në SHBA, atëherë shpenzimet i bie të jenë shumë të pakta. Por, a është kështu?

Le të përpiqemi të bëjmë një krahasim të thjeshtë, nisur edhe nga mjaft të dhëna që vijnë nga fushatat  në Shqipëri. Kur në Itali doli përgjimi i ‘grupit Habilaj’ i cili po hetohej nga Prokuroria italiane për trafik droge, u pa se ata thonin që ministrit të Brendshëm, Saimit Tahiri, nuk i dalin as 20 milionë euro për fushatën e zgjedhjeve. Disa ditë më parë në përgjimet e ‘grupit Avdyli’ në Shijak u pa se ata flisnin për blerje votash me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.  Në përgjime u pa edhe se vëllai i ish deputetit të PS-së Lezhë, Arben Ndoka, po blinte vota në Lezhë. Në Dibër kandidatja e partisë PDIU mori më shumë vota se sa PS dhe PD. Ç’ndodhi?

Në Elbasan partia PDIU arriti të marë vota gati sa Partia Demokratike. Pra, në një qark që fillon në kufi me Maqedoninë dhe mbaron në Lushnjë, që fillon në Malin Tomorr dhe mbaron në lumin Erzen në Tiranë, një parti si PDIU që iu drejtohet votuesve shqiptarë të Çamërisë merr vota sa PD. Krahasuar me vitin 2013 kjo parti në këtë qark u rrit me 300 përqind. Nuk ka asnjë rast në botë që një parti e tillë, me këtë vokacion, të rritet me 300 përqind. Në Shkodër partia PSD e Skënder Gjinushit mori mbi 11 mijë vota.  Kjo parti gjatë 29 viteve nuk ka marrë kurrë në Shkodër më shumë se sa 1000 vota. Çfarë ndodhi që kjo parti u rrit me 11 herë ose 1100 përqind, në një kohë që vetë Gjinushi, që kryeson partinë, ka dalë fare nga politika?

Gara në Teksas pak ditë më parë mididis senatorit Ted Cruz dhe sfidantit demokrat Beto O’Rourke ishte shumë e fortë. Demokratët, në përpjekje për të marrë Senatin, e panë Teksasin si një garë fushëbetejë që mund të fitonin. Ata sulmuan ashpër Teksasin, edhe sepse donin të mundnin Cruz me çdo kusht pasi e shikojnë atë si kundërshtar të fortë ideologjik, pasi ai përfaqëson pjesën më konservatore të Senatit.  Beto O Rourke mblodhi një shifër rekord prej 90 milionë dollarësh dhe shpenzoi mbi 85 milionë dollarë. Teksasi ka 29 milionë banorë. Prodhimi i Brendshëm i Teksasit është 1,6 trillionë dollarë ose 1600 miliardë dollarë. Në Teksas ndodhen disa nga bizneset më të mëdha në botë.

Prodhimi i Brendshëm i Tiranës, edhe sikur ajo të ketë 70% të ekonomisë sonë kombëtare, i bie të jetë rreth 9 miliardë dollarë. Kjo shifër është 178 herë më e vogël se sa ekonomia e zonës së O’Rourke, shteti i Teksasit. Në këtë kuptim, sikur Saimir Tahiri të bënte fushatën e O’Rourke, një fushatë nga më të shtrenjtat në botë, ku u paguan eskpertë, këshilltarë, strategjistë, spote, sondazhe, ku u përfshinë shkencëtarë të politikës dhe ekonomisë, do të duhet të harxhonte në Tiranë në zgjedhjet e vjetshme 178 herë më pak se sa O’Rourke, edhe sikur Tirana të kishte 29 milionë banorë, sa ç’ka Teksasi. Nuk po themi këtu që këto para O’Rourke i shpenzoi për një zonë me sipërfaqe prej 700 mijë kilometrash katrorë ku gjenden disa qytete shumë të mëdha (nga më të famshmet në botë) dhe më të shtrenjta se sa Tirana, si Houston, San Antonio, Dallas, Austin etj. Po t’i fusnim në llogari edhe elementë të tillë, si sipëfaqja dhe popullsia, Tahiri duhet të shpenzonte në Tiranë, nqs do të bënte një fushatë si O’Rourke, rreth 20-30 mijë dollarë. Habilajt thonë se atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro, pra as 30 milionë dollarë. Çfarëdo të ketë ndodhur, vetëm 20 mijë dollarë nuk ka harxhuar PS në Tiranë vjet.

Po për Durrësin? Durrësi ka një ekonomi, le të themi 20 përqind të ekonomisë sonë kombëtare. Pra prodhimi kombëtar në Durrës është rreth 300 milionë dollarë ose 0,3 miliardë dollarë. Kjo shifër është 5300 herë më e vogël se sa ekonomia e Teksasit. Popullsia e Durrësit si qark nuk i kalon 200 mijë banorët, pra është rreth 150 herë më e vogël se sa e Teksasit. Sasia e parave që duhet të përdorte Dako, po të bënte një fushatë të kushtueshme si ajo e O’Rourke, do të ishte rreth 5 mijë dollarë. Sa ka harxhuar Dako? 5 mijë dollarë, 10 mijë dollarë?

Po për Lezhën, që ka një ekonomi prej 5 përqind të ekonomisë sonë kombëtare (20 mijë herë më e vogël se sa ajo e Teksasit) dhe një prodhim afërsisht 60-70 milionë dollarë, sa para duhet të harxhohen që të bëhet një fushatë si ajo e Beto O’Rourke? Po për Elbasanin?

Le të shohim një shtet tjetër ku gara ishte shumë e fortë, pasi edhe aty demokratët kërkonin me çdo kusht të merrnin senatorin. Në Nevada, Jackie Rosen e demokratëve shpenzoi 7 milionë dollarë duke ia kaluar me rreth 3 herë senatorit republikan Haller, që shpenzoi rreth 2,2 milionë dollarë. Nevada ka një popullsi prej 2,8 milionë banorësh. Gati sa Shqipëria. Prodhimi i brendshëm i Nevadës është 126 miliardë dollarë, pra rreth dhjetë herë më shumë se sa prodhimi Ii Shqipërisë. Ekonomia e Nevadës është  14 herë më e lartë se sa e Tiranës, dhe numri i banorëve të Nevadës është rreth 4 herë më i lartë se sa ai i Tiranës. Sipëfaqja e Nevadës është rreth 50 herë më e madhe se sa e Tiranës. Po të shpenzonte Tahiri në Tiranë, në proporcion me shpenzimet e Jackie Rosen në Nevada, atëherë ai duhet të shpenzonte 10 mijë dollarë. Po ta bëjmë këtë llogari për Dakon në Durrës apo për Ndokën në Lezhë, vlera do të shkonte në 5 mijë dollarë apo 4 mijë dollarë.

Ndërsa gjithë PS, në shkallë kombëtare, duhet të shpenzonte, po të ndiqte standardin e shtrenjtë të Nevadës dhe nivelin e ekonomisë së vendit tonë, 700 mijë dollarë. Nevada është vendi ideal për një analizë dhe krahasim të tillë sepse ka një popullsi gati sa e jona. A ka harxhuar PS dhe Rama në gjithë Shqipërinë vitin e kaluar 700 mijë dollarë? Pra, a ka bërë Rama një fushatë kaq të shtrenjtë dhe kaq të fortë sa bëri Partia Demokrate në Nevada këtë herë?

Po të shohim shtetin e Florida-s ku gara ishte gjithashshu shumë e ashpër. Edhe tani ka betejë ligjore për shkak të rezultatit shumë të ngushtë dhe mospranimit të humbjes nga demokratët. Kandidati republikan për senator, që fitoi, Rick Scott, shpenzoi rreth 86 milionë dollarë. Ekonomia e Florida-s është gati një trilionë dollarë ose 1000 miliardë dollarë. Popullsia e saj është mbi 21 milionë banorë.

Pra, për një ekonomi me 1000 miliardë dollarë prodhim të brendshëm, për një garë nga më të fortat në botë, për një garë  që përcakton fatin e Senatit të SHBA-së dhe të Presidentit Trump, për një garë që vendos edhe për gjëra të mëdha në botë, shpenzohen 86 milionë dollarë. Po për një garë në një vend si ne, për një garë në një vend me ekonomi të shkatërruar dhe me varfëri të madhe, për një garë pa shkencëtarë politikë, pa sondazhistë, pa këshilltarë dhe pa pagesat e spoteve të televizioneve më të shtrenjta në botë, pse i duhen Tahirit 20 milionë euro, pse i duhen Dakos aq shumë miliona, pse gara në Elbasan apo Durrës, në Dibër apo Lezhë etj., mbytet në para?

Gara e PS-së vjet, gara e Ramës, Tahirit, Dakos, Ndokës, Bushatit në Shkodër, etj., janë disa herë më të shtrenjta se sa garat në SHBA. Sado të jenë të disktueshme krahasimet, ato na tregojnë se këtu kanë shpenzuar disa herë më shumë se shpenzohet në SHBA. Këtë ishiambasadori Lu e dinte, por nuk e shtroi kurrë si pyetje. SHBA është një vend që ne e admirojmë për shumëçka, edhe për mënyrën se si bëhet fushata, edhe për mënyrën se si shpenzohen paratë e fushatave. Ne nuk admirojmë, megjithatë, mënyrën se si ish-ambasadori Lu nuk e vuri re që fushata e PS-së ishte më e shtrenjtë, disa herë, se sa në SHBA.