Zgjedhjet e 2019-ës, publikohet ekstrakti i listave; personat që nuk kanë të drejtë vote  

Ministria e Brendshme njofton se ka publikuar ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet vendore, të datës 30 Qershor 2019.

Ministria thotë se nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3.549.909 shtetas, ndër ta, 50.5% e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.4% femra.

Ministria thotë gjithashtu se nga lista janë hequr emrat e 1.264 personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”, si dhe janë hequr 1.309 emra të shtetasve mbi 100 vjeç.

“Ndërkaq DPGjC u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 Qershor 2019.

Brenda datës 4 Dhjetor 2018, zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Duke nisur nga data 5 dhjetor Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të nisë verifikimet në çdo zyrë të Gjendjes Civile nëse është përmbushur detyrimi për publikimin e listave të para të zgjedhësve.