“Zgjedhjet e njëanshme janë më të këqijat që mund të bëhen; e thënë edhe nga ndërkombëtarët”

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka komentuar atë çka ndodhi në seancën e jashtëzakonshme plenare, të 11 prillit, ku u diskutua krijimi dhe përbërja e komisionit “ad hoc” për verifikimin e kandidatëve për institucionet e vettingut. Këto komisione do të verifikojnë kandidatët e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Deputetët e Kuvendit, pa opozitën, miratuan kandidaturat e dy anëtarëve të PS-së Vasilika Hysi, Ulsi Manja, dhe atë të LSI-së, Luan Rama. Por gjatë votimit, vetëm kreu i PDIU Shpëtim Idrizi nuk ka marrë votat e nevojshme për të qenë anëtar i komisionit “ad hoc” për vettingun.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në “News24”, kreu i PDIU tha se artifica të kësaj natyre, si ajo e qëndrimit të mbajtur në Kuvend, duhet të shmangen, ndërsa theksoi se duhet t’i jepet rëndësia e duhur reformës në drejtësi.

Si e përceptoni ju atë që ndodhi në Kuvend?

Për gjëra kaq themelore siç është reforma në drejtësi, artifica të tilla i bëjnë dëm procesit. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, dhe zbatimi i vettingut nuk mund të fillonte me një gjë të tillë. Nuk ndaj opinionin që dy partitë e mëdha të kenë mazhorancën, pasi ata kanë përgjegjësinë për këtë sistem që ne po anatemojmë sot. Kreu i Parlamentit i ka dërguar një letër të gjithë grupeve parlamentare për të paraqitur kandidaturat. Edhe ne paraqitëm kandidaturën tonë, nisur edhe nga fakti që mazhoranca ka 3 grupe parlamentare. Emri i propozuar nga PDIU, ishte në kuadër të kësaj. Në Konferencën e Kryetarëve, u tha se PDIU meqë nuk është e përfaqësuar me ministër, trajtohet si minorancë. Por këtë nuk mund ta pranonim. Ne tashmë përfaqësohemi në kabinet qeveritar me zv.ministër. Megjithatë nuk ka rëndësi fakti i kësaj artifice. Në këto kushte doli ideja që të vazhdoja të garoja në pjesën e opozitës.

Si jua shpjeguan këtë?

Ne nuk pranuam. Edhe disa anëtarë të Konferencës së Kryetarëve nuk e pranuan këtë. Dhe më ngeli të garoja me Ulsi Manjën. Por theksoj se ne të gjithë duhet të kuptojmë se reforma në drejtësi është një proces shumë serioz.

Zonja Doda, deklaroi se ky votim e dëmton koalicionin qeveritar. Është veprim tinzar apo jo?

Nuk mund t’i shtoj më shumë asaj që thashë. Po e përsëris, imagjinoni sot jemi në një krizë të madhe politike, përfaqësimi, elektorale. Kjo vjen nga mungesa e besimit të palëve. Për sa i përket marrëdhënieve brenda koalicionit, nuk të lë shije të mirë.

Partia juaj mori vota të konsiderueshme në zgjedhjet e kaluara. Cilat janë pritshmëritë tuaja në zgjedhjet që vijnë? Shpesh Rama ju përdor për të trembur Metën, por dhe Meta ju përdor për të trembur Ramën?

Mendoj dy gjëra. E para, PDIU ka peshën e vet në skenën politike shqiptare. Të garantoj që në zgjedhjet e ardhshme do dyfishojmë mandatet tona. Për shkak të peshës që kemi, dhe rolin që po luajmë në përpjekjen për t’u ulur në bisedime. Deduksioni i dytë, është fakti i gabuar që dikush mund ta përdorë PDIU-në, por kjo vjen si pasojë e kodit zgjedhor që kemi nga partitë e mëdha. Ju kujtoj se pas vitit 2005 ka ikur koha e partive shtojcë.

Nëse Meta largohet nga qeveria, dhe nëse PD nuk futet në zgjedhje ju me kë do të shkoni?

Është e vështirë t’i përgjigjesh shumë nëse-ve që ju më pyesni. Ne sot jemi në një moment të rrezikshëm për vendin. Shumë institucione do humbin legjitimitetin, dhe ne do shkojmë në një pikë që s’dimë çfarë do bëhet. Unë nuk e imagjinoj dot sot edhe me praninë time, se si palët në 2017-n, një vend kandidat për BE, të mos arrijë të bëjë zgjedhje transparente dhe pa bërë zgjedhje me të gjitha palët. Ne kemi bërë propozime konkrete për të hyrë në bisedime.

Lulzim Basha nuk dëgjon më asnjë variant, as Europën…

Zgjedhjet e njëanshme janë më të këqijat që mund të bëhen, e thënë edhe nga ndërkombëtarët.

Ilir Meta mund të hidhet në këtë anë…

Meta mund të hidhet në një anë, Basha mund të hidhet në një anë. Mund të bëjnë çdo gjë, por kanë përgjegjësitë e tyre. Unë po ndalem tek ajo që ka propozuar PDIU. Ne i kemi kërkuar opozitës të kthehet në Kuvend. Kemi kërkuar dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor. Në propozimin tonë kërkojmë ta kthejmë Shqipërinë në një zonë zgjedhore. Të gjithë partitë të kenë numërues. PD ka të gjithë të drejtën e zotit të kërkojë zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk mund të kërkojë qeveri teknike. Ka të drejtë të kërkojë garanci.

Si do bëhet kjo gjë? Çfarë mjete ka për dhënë garanci?

Ka shumë mënyra. Ka vende, ku psh. ministri i Brendshëm, i Transportit, japin dorëheqjen 3 muaj para zgjedhjeve. Nëse opozitës dhe ne të tjerëve do na jepej një kosë për të korrur kanabisin, kjo nuk është zgjidhje.

Ju a do jeni në krahun e opozitës në këto procese?

Ne jemi për atë që të ulemi në një tryezë, t’i japim zgjidhje problemit. Opozita nëse do bashkë me mazhorancën, mund të ulet dhe të dialogojë. Ne kërkojmë që të gjithë palët të përfshihen në zgjedhje. Duam që vota e gjithë shqiptarëve të jetë e barabartë. Çdo zgjidhje jashtë kësaj, për PDIU është marri. Ju mendoni se në këtë vend do të vijë ndonjë investitor kur shikon që çdo 4 vjet në këtë vend ngrihet një çadër. PDIU ka paraqitur disa pika, dhe përpiqemi që me peshën që kemi të luajmë rolin e katalizatorit.