Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Zgjedhjet e së dielës/ Në Greqi, politika është çështje familjare: Micotaqis, Karamanlis dhe Papandreu sërish në garë
Maria PETRAKIS/ Politiko.eu
ATHINE - Nuk mund të ketë vend më të mirë për të kuptuar politikën greke sesa rajoni i Akaisë. Ngjeshur në krye të gadishullit të Peloponezit në perëndim të Athinës, është strehë e qytetit të tretë më të madh të vendit - porti i Patras, i famshëm për paradën e karnavaleve, me kostumet e saj shumëngjyrëshe.
Është gjithashtu skena e një debati midis kryeministrit Alexis Tsipras, kreut të partisë radikale të majtë Syriza, dhe personit që, pothuajse me siguri, do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë Demokracia e Re, e qendrës së djathtë.
Në zgjedhjet e Parlamentit Europian muajin e kaluar, Akaia - një bastion i Syrizas- ishte njëra nga vetëm dy zonat zgjedhore në vend, ku Demokracia e Re nuk dominoi me vota. Ndërsa grekët kthehen në votime për të zgjedhur një qeveri të re të dielën, Tsipras dhe Mitsotakis kanë vendosur të jenë në krye të listave të tyre në këtë rajon.
Rezultati i garës do të përcaktojë jo vetëm drejtimin e Greqisë gjatë katër viteve të ardhshme. Ka të ngjarë të shohë rivendosjen e një prej familjeve më të fuqishme politike të vendit - pas më shumë se një dekade trazirash politike dhe ekonomike, pas fillimit të krizës financiare të vitit 2008.
Shumë votues grekë fajësojnë familjet politike dominuese për një trashëgimi patronazhi dhe vështirësitë financiare të dekadës së kaluar.
Politika greke, me sa duket, është pakorrigjueshëm dinastike. Që nga fundi i sundimit ushtarak, udhëheqja e vendit ka kaluar nëpër një grusht familjesh politike. Dhe me Demokracinë e Re që pritet të marrë vota të mjaftueshme për të qeverisur pa një partner koalicioni, këto zgjedhje do të shënojnë kthimin e tyre.
Mitsotakis është anëtar i një prej dy familjeve më të rëndësishme të Demokracisë së Re. Babai i tij Konstantinos Mitsotakis shërbeu si kryeministër në fillim të viteve 1990. Motra e tij Dora Bakojanis, ish-ministre e Jashtme dhe ish-kryebashkiake e Athinës. Djali i saj Kostas Bakojanis do të bëhet kryebashkiaku i qytetit në shtator.
"Fuqia qendrore e dinastive politike është, natyrisht, e lidhur me organizimin e vjetëruar dhe strukturën e partive politike greke", thotë Aristides Hatzis, profesor i Jurisprudencës në Universitetin e Athinës. "Ato janë ende oligarkike, tradicionale, jodemokratike dhe ekskluzive".
Familja tjetër e rëndësishme e Demokracisë së Re është themeluesi i partisë Konstantinos Karamanlis, kryeministër katër herë. Nipi i tij, Kostas Karamanlis udhëhoqi vendin nga viti 2004 deri në vitin 2009, përpara se të linte zyrën në fillim të krizës së borxhit qeveritar. Tani anëtar i parlamentit, Kostas Karamanlis mbajti fjalimin e tij të parë të fushatës pas një dekade.
Gjithashtu në Akaia konkuron një përfaqësues i familjes së tretë politike të Greqisë, Jorgos Papandreu, i cili pasoi Kostas Karamanlisin si kryeministër. Babai dhe gjyshi i tij shërbyen disa herë në zyrën më të lartë të vendit.
Papandreu, i cili udhëhoqi Lëvizjen Socialiste Panhelenike të qendrës së majtë (Pasok) dhe ishte kryeministër deri në vitin 2012, është një kandidat për Lëvizjen për Ndryshim, një aleancë politike e qendrës së majtë në të cilën Pasok është anëtari më i madh. Edhe pse shumë në këtë zonë fajësojnë Papandreun për kaosin financiar dhe masat shtrënguese të dhimbshme të 10 viteve të fundit, partia e tij pritet të renditet e treta, me distancë nga dy të parat, pas Demokracisë së Re dhe Syrizas - në zgjedhjet e së dielës.
Pakënaqësi
Ndërkohë që disa komentues i krahasojnë dinastitë e Greqisë me Kennedys në Shtetet e Bashkuara, pikëpamja më e zakonshme është shumë më pak e kënaqshme - shumë votues fajësojnë familjet politike dominuese për një trashëgimi patronazhi dhe vështirësitë financiare të dekadës së kaluar.
Grekët kanë më shumë gjasa të përshkruajnë vendin e tyre si të tillë ku gjërat nuk ndryshojnë shumë, pavarësisht se kush fiton një zgjedhje, sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew të 27 vendeve maj-gusht të vitit të kaluar. Ata kanë gjithashtu më shumë gjasa të përshkruajnë politikanët e tyre si të korruptuar.
Syriza, e cila ka qeverisur Akainë që nga viti 2012 dhe Greqinë që nga viti 2015, ka qenë përfituesi më i madh i kësaj pakënaqësie. Në vitet pas shpërthimit të krizës, partia u ngrit nga margjinat e ekstremit të majtë për t'u bërë një nga forcat dominuese të vendit.
Por vitet në pushtet kanë bërë të tyren. Gjatë kohës në qeveri, Tsipras ka mbikqyrur zbatimin e reformave të dhimbshme të kërkuara nga kreditorët grekë dhe ka arritur një marrëveshje jopopullore me Maqedoninë e Veriut mbi emrin e vendit. Keqpërdorimi i zjarreve në pyje është një tjetër burim i papëlqyeshmërisë.
Mitsotakis është zotuar të jetë i ashpër ndaj korrupsionit dhe nepotizmit nëse fiton, ndërsa të tjerët në partinë e tij, megjithatë, nuk mund t'i shohin gjërat në të njëjtën mënyrë.
Partia gjithashtu ka pasur takimet e veta me nepotizmin. Në qershor, një udhëheqës i shquar i Syrizas, Tasia Christodoulopoulou, nënkryetare e parlamentit, tha se nuk do të garonte në zgjedhjet e së dielës, pasi pranonte se kishte përdorur lidhjet e saj për t'i dhënë vajzës një punë në parlament.
Syriza "harroi se si të jetë e përulur", thotë George Tzogopoulos, një lektor në Universitetin Demokriti të Trakës. "Mendoi se të gjitha gabimet, si psh mënyra se si i trajtoi zjarret e vitit 2018, mund të faleshin, sepse Demokracia e Re dhe Pasok ishin përgjegjës për falimentimin e vendit".
Kur është fjala për Mitsotakis, votuesit duket se janë më pak të shqetësuar për lidhjet e tij familjare. "Mund të thuhet se grekët duket se harrojnë dhe falin lehtë", thtë Hatzis, profesor i Jurispudencës.
Por, ai shton: "Mitsotakis ishte një i jashtëm. Ai u zgjodh, jo me mbështetjen e establishmentit të partisë së vet, por me mbështetjen e votuesve të pavarur, sidomos atyre që vijnë nga qendra dhe qendra e majtë".
Mitsotakis është zotuar të jetë i ashpër ndaj korrupsionit dhe nepotizmit nëse fiton. Ai tha se nuk do të emërojë anëtarët e familjes, si motrën, në zyrën e qeverisë.
Të tjerët në partinë e tij megjithatë mund të mos i shohin gjërat në të njëjtën mënyrë.
Kur më 2017, ligjvënësi më jetëgjatë i vendit, Yiannis Tragakis, një deputet i Demokracisë së Re, njoftoi se do të largohej nga detyra dhe do t'ia dorëzonte vendin djalit të tij, Mitsotakis lëvizi shpejt për të bllokuar këtë veprim.
Këtë vit, Tragakis, i cili gjithashtu ka një vajzë, që atëherë ka ndryshuar mendje për tërheqjen nga politika. Ai është duke garuar sërish në zgjedhjet e së dielës.