Zgjedhjet model, 4 ‘shuplakat’ që Kosova i dha Shqipërisë

Marsel Lela

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në bazë të rezultateve paraprake të KQZ-së. Por ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ku vëmendja përqendrohet kryesisht te fituesi, vëmendja e njerëzve kësaj radhe duhet fokusuar te procesi zgjedhor. Mënyra se si u zhvillua ky proces ishte një mësim dhe një shembull i mirë.

Më shumë se askund tjetër kjo duhet të jehojë te shqiptarët e Shqipërisë, që edhe pas 30 vjetësh pluralizëm ‘digjen’ për një palë zgjedhje të lira e të ndershme. Të pamësuar me një proces zgjedhor që nis në mëngjes dhe mbaron në mesnatë, shqiptarët e treguan adhurimin ndaj vëllezërve kosovarë, por edhe mëninë ndaj klasës politikë shqiptare me statuse të shumta në rrjetet sociale.

Kritikat e tyre ishin ndaj paaftësisë dhe mungesës së kulturës te politikanët tanë për të organizuar zgjedhje të denja të një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Në këtë rast Kosova është ‘shuplaka’ më e fortë që mund t’i jepet Shqipërisë, pasi kujtojmë se ato të djeshmet janë zgjedhjet e katërta që zhvillohen në Kosovë që nga viti 2008. Duke parë ecurinë e procesit zgjedhor dhe harmoninën mes palëve, pjekuria politike e tyre është ku e ku më e lartë se ajo në Shqipëri që ka mbi 100 vjet shtet.

Nëse do të bënim një llogaritje të thjeshtë mes dy proceseve zgjedhore, atij të djeshmit në Kosovë dhe zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri, do të dallonim të paktën 4 ndryshime të forta.

Së pari, numri i votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dje në Kosovë ishte më i lartë se ai në zgjedhjet e kaluara, 43 përqind, apo rreth 800 mijë votues nga 1.9 milion sa kishin të drejtë vote, njoftuan vëzhguesit e organizatave vendase të zgjedhjeve. Këto zgjedhje vinin pasi ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen pasi iu kërkua të dëshmonte në Hagë.

Ndërsa në Shqipëri, edhe pse numri i votuesve është dyfish më i lartë se ai në Kosovë, pjesëmarrja ishte tepër e ulët, ose më e ulëta që është shënuar ndonjëherë në zgjedhjet pluraliste në vendin tonë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në votim në zgjedhjet vendore të 30 qershorit është 21.6 përqind e përkthyer në numër zgjedhësish sipas institucionit të administrimit të zgjedhjeve kanë votuar 771 863 votues. Të drejtën për të shkuar te kutia e votimit e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë.

Kjo ndodhi edhe për shkak të një precedenti tjetër që u shënua për herë të parë në zgjedhjet e 30 qershorit. Për herë të parë që nga pluralizmi, këto ishin zgjedhjet ku në shumicën e bashkive nuk kishte dy kandidatë në garë, për shkak se opozita, ku bëjnë pjesë shumica e partive të djathta (PD, PR, PDK, PDIU, PBDNJ, LZHK) dhe LSI, nuk morën pjesë në zgjedhje, me pretendimin se ato nuk janë të lira e të ndershme, duke marrë shkas nga përgjimet e publikuara pak kohë më parë, që lidheshin me blerjen e votave në zgjedhjet lokale 2016 në Dibër dhe një vit më vonë në zgjedhjet e përgjithshme në Durrës.

Së dyti, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë u zhvilluan në qetësi të plotë. Sipas vëzhguesve të organizatave vendase, ‘zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën pa asnjë incident serioz që do të ndikonte në  procesin e zgjedhjeve’. Madje edhe në veri të Kosovës nuk kishte incidente serioze, ku serbët kësaj radhe nuk u lejuan që të votojnë me dokumente të Serbisë, por vetëm ata që kishin dokumente të Republikës së Kosovës.

Një tablo krejt tjetër ishte ajo e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri, ku procesi i votimit u zhvillua nën masa të shumta policore, autoblindash dhe gazi lotsjellës në disa zona. Ambasadat e huaja paralajmëruan se në zona të caktuara pritej të kishte akte dhune, ndërsa presidenti Ilir Meta deklaroi para Komisionit Hetimor se e anuloi 30 qershorin pasi kishte informacione se do të digjej Parlamenti.

Së treti, numërimi i votave u bë në kohë rekord në Kosovë, ku pas përfundimeve paraprake, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shpalli fitoren në mesnatë. Gjatë numërimit të votave nuk u shënua asnjë incident domethënës. Ndërsa në Shqipëri, edhe pse zgjedhjet e 30 qershorit ishin monopartiake, pati probleme gjatë numërimit të votave.

Së katërti, ndryshe nga ç’jemi mësuar të përjetojmë në Shqipëri, ku fill pas shpalljes së fituesit kundërshtari do t’i kontestojë zgjedhjet duke shpalluar se i është bërë padrejtësi, dhe se zgjedhjet kanë qenë të manipuluara, në Kosovë ndodhi diçka krejt tjetër. Lideri i PDK-së Kadri Veseli, pak para mesnatës në një konferencë për media e pranoi humbjen dhe deklaroi, se PDK përfundimisht do të shkojë në opozitë. PDK tash e 12 vjet ishte pjesë e qeverive të Kosovës, ku dy mandate mbante edhe postin e kryeministrit.