Zgjedhjet për kreun e PD. Zbardhet axhenda e Bashës dhe Selamit

Lulzim Basha dhe Eduard Selami kanë gati platformat e tyre politike që do t’ua prezantojnë strukturave të Partisë Demokratike sot në qarkun e Lezhës.

Takimet e dy kandidatëve do të jenë të veçanta dhe nuk do të ketë pikë takimi mes tyre. Në orën 10:00 të paradites së sotme, Eduard Selami do të jetë përpara demokratëve të Lezhës, ndërkohë që Basha do të jetë në Mirditë. Ndërsa kur Basha do t’i drejtohet Lezhës për takimin e orës 11:30, Selami do të jetë në Mirditë dhe pastaj në Kurbin.

Dy kandidatët kanë përcaktuar axhenda të ndara nga njëri-tjetri, por në të paktën pesë raste do të ketë takime të përbashkëta dhe përballje platformash të Bashës dhe Selamit. Sipas burimeve, debati i parë i hapur mes dy kandidatëve për kreun e PD-së do të vijë që këtë të shtunë dhe ajo do të jetë në Korçë. Pastaj, sërish kandidatët do t’u rikthehen axhendave respektive të takimeve në qytete. Debati i dytë mes Bashës dhe Selamit do të jetë ai që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës dhe më pas do të ketë edhe tri debate të tjera në degë të Tiranës.

 Në këto takime do të ketë një përballje të platformave të kandidatëve për mënyrën se si do të drejtohet PD-ja në katër vitet e ardhshme, por gjithashtu edhe anëtarësia do të ketë mundësinë që t’i drejtojë pyetje Bashës dhe Selamit. PROCESI Kryesia në çdo degë të PD-së do të jetë përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor më 22 korrik.

 Në secilën prej degëve të PD-së do të ngrihet nga një qendër votimi, ku secili nga dy kandidatët në garë do të ketë përfaqësuesin e tij që do të monitorojë procesin e votimit. Edhe selia blu do të ketë qendrën e saj të votimit, në të cilën do të hedhin votën e tyre pjesa kryesore e lidershipit të PD-së. Në selinë e PD-së, e cila do t’i përkasë degës 2 në kryeqytet, do të jetë qendra e votimit edhe për anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare. Lista e votuesve do të miratohet nga komisioni për operacionet elektorale jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Panorama