Flash News

OP-ED

Zgjidhje, zgjedhje, apo Lëvizje e re Studentore

Zgjidhje, zgjedhje, apo Lëvizje e re Studentore

Agred Tafaj*

Në këtë fund nëntori, jeta studentore gëlon nga shumë informacione, të vërteta e të pavërteta, të qëllimshme e të paqëllimshme. Çështja është, kemi përpara dhjetorin e dytë, të tretë, apo asnjërin?

Lëvizja studentore, para një viti ka lënë gjurmë të thella, jo vetëm te studentët, por dhe te qytetarët e thjeshtë. Mjaft prej tyre shpresuan se nga studentët do vinte edhe zgjidhja e halleve të shqiptarëve. Kohët e fundit kemi intensifikuar kontaktet me të gjithë ata udhëheqës, të njohur e të panjohur, të fakulteteve, të grupeve të mëdha e të vogla në të gjithë Shqipërinë. Dilemat që janë parashtruar kanë qenë:

1 – A ishte e drejtë zgjidhja që bëmë pa parti, pa kryesi dhe pa negociata?

2 – Çfarë u arrit nga protesta studentore, dhe a kemi ende gjëra për të bërë?

3 – Kush mendoni se e ndezi lëvizjen studentore, dhe a mendoni se na përdorën për qellimet e tyre?

Këto dilema tashmë janë bërë pronë e mendimit intelektual të të gjithë ne studentëve, të angazhuar e të paangazhuar në lëvizjen e dhjetorit të shkuar. Mbi bazën e analizës dhe përgjigjes së këtyre pyetjeve, po hartohet platforma e një lëvizjeje të re.

Sipas mendimit të mjaft studentëve, lëvizja e vitit të shkuar dështoi për shkak të nxitimit të partive politike me dhe pa pushtet, për ta kontrolluar e përfituar prej saj, ku më e interesuara ishte mazhoranca, por ekzekutimin e bëri opozita, me ndërhyrjet e saj.

Sot, Senati i Universitetit të Tiranës, ka vendosur që pas një muaji, me 18 Dhjetor të zhvillohen zgjedhjet për Këshillat studentore. Është një rastësi apo qëndrim i menduar mirë që këto zgjedhje të bëhen në dhjetor?

Gjatë konsultave tona janë shfaqur pikëpamje sipas të cilave Këshillat studentore do të zëvëndësojnë kryesinë e munguar të lëvizjes së dhjetorit të shkuar. Përsëri dilema do të jetë: A do jenë këto Këshilla studentore përfaqësuese të vërteta, të sinqerta, të interesave të studentëve, të zhvillimit të institucioneve universitare, në funksion të rritjes së dijes dhe me një autonomi reale universitare?

Ka mjaft dyshime se partitë politike këtë rradhë do të jenë shumë më të vëmendshme, më të kujdesshme dhe më finoke në mënyrën si do të ndërhyjnë dhe kontrollojnë këto zgjedhje. Unë besoj se drejtuesit fanatikë të forumeve partiake, nuk do të kandidojnë, por nëse kandidojnë, nuk do fitojnë; por nëse fitojnë, atëherë lëvizja studentore duhet të kthehet në nivelin dhe aspiratat e dhjetorit të parë.

Një nga produktet më të rëndësishme të lëvizjes së shkuar është identifikimi i qartë i studentëve të interesuar për partitë e tyre dhe i studentëve të interesuar për Universitetin, jetën akademike, dhe interesin e përbashkët të të gjithë studentëve. Pra, edhe partitë politike nuk do ta kenë të lehtë të kontrollojnë zgjedhjet e këshillave studentore, për të vendosur në to njerëzit e tyre. Sigurisht, nëse do të përdoren mekanizmat e pushtetit, ndërhyrja e institucioneve publike, presioni mediatik, dhe forma të tjera të korrupsionit zgjedhor që tashmë për fat të keq janë të ngritura në sistem, çdo gjë mund të ndodhë.

Sido që të ecë procesi i zgjedhjeve studentore, fryma dhe idealet për drejtësi dhe progres te ne, kurrë nuk do të shuhet, pasi ajo mbartet nga brezi në brez, si një formë e ekzistencës së vetë brezit studentor.

*Student i Fakultetit të Drejtësisë Universiteti Tiranë.

Të fundit