Flash News

KRYESORE

Zhduket ISIS, Turqia dhe Irani gati të nisin luftën e re në Irak

Iraku nuk ka për të gjetur qetësi të paktën edhe për disa vite të tjera. Pas pushtimit nga SHBA, luftës me talebanët dhe krijimit të ISIS, një tjetër luftë pritet të nisë në territorin e Irakut.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se një operacion i përbashkët i Turqisë dhe Iranit kundër rebelëve kurdë që disponojnë baza në Irak është gjithmonë në program.

Deklarata e presidentit turk u bë pas vizitës javën e kaluar në Ankara të shefit të shtabit të përgjithshëm iranian, Mohammad Bagheri, gjatë të cilës dy vendet diskutuan për luftën kundër rebelëve kurdë.

“Një operacion i përbashkët me Iranin kundër këtyre organizatave terroriste vazhdon të jetë në axhendë”, deklaroi presidenti turk duke iu referuar Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit turk (PKK) dhe Partisë për një jetë të lirë në Kurdistan (PJAK), një parti kurde iraniane që i është bashkuar.

Sipas të përditshmes “Türkiye”, Irani ka bërë gjatë vizitës së shefit të shtabit të përgjithshëm një propozim të papritur për Turqinë, për fillimin e një operacioni kundër rebelëve kurdë në Sinjar dhe në Qandil, në veri të Irakut.

I pyetur për informacionet e kësaj gazete para nisjes për një vizitë në Jordani, Erdogan konfirmoi zhvillimin e diskutimeve lidhur me këtë çështje.

“Ne mendojmë se nëse dy vendet tona bashkëpunojnë, mund t’i arrijmë rezultatet shumë më shpejt”, deklaroi presidenti turk, pa dhënë shumë detaje.

Kurdët në Irak kanë një autonomi të madhe, por lufta e suksesshme kundër ISIS ka rritur pretendimet e këtij kombi, i cili është i ndarë në disa shtete në Lindjen e Mesme. Në fund të shtatorit është planifikuar zhvillimi i një referendumi për pavarësinë e Kurdistanit nga Iraku. Ky veprim pritet të pasohet nga shkëputja e pjesës kurde në Siri, ndërsa Turqia dhe Irani ndihen të rrezikuara për shkak se kanë në territorin e tyre një numër të konsiderueshëm kurdësh, të cilët prej dekadash kërkojnë krijimin e shtetit.

Të fundit