Flash News

KRYESORE

Zhupa: Erion Veliaj mashtroi të paktën 3 herë sot në Këshillin Bashkiak

Zhupa: Erion Veliaj mashtroi të paktën 3 herë sot në

Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratave të bëra nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak.

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, tha se Veliaj ka mashtruar sot tre herë. Zhupa tha se Erion Veliaj është një mashtrues serial dhe një kryebashkiak që nuk u shërben qytetarëve, por vetëm interesave për pasurimin e vet personal dhe interesave të klientëve të tij dhe të Edi Ramës.

“Mashtrimi i Erion Veliajt se Lulzim Basha si Ministër Transportesh bëri ligj të ri që fëmijët të paguajnë biletë autobusi është skandaloz. Ligji i transportit është i vitit 1998 dhe prej atëherë ai ka ndryshuar 10 herë, duke nisur nga viti 2002 deri në vitin 2016. Ligji respekton autonominë e bashkive për t’u siguruar banorëve transport brenda qytetit dhe fëmijëve transport falas. Gjatë drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha linjat urbane u shtuan, fëmijët nuk paguan biletë dhe çmimi për qytetarët nuk u rrit. Gjatë drejtimit të bashkisë nga Erion Veliaj çmimi i biletës u rrit me 100 lekë dhe po bëhet fushatë mediatike për të bërë me pagesë biletat e fëmijëve”, tha Zhupa.

Zëdhënësja e PD-së theksoi se veliaj mashtroi edhe sa i takon lejeve të ndërtimit për komplekse pallatesh, në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë, tek zona e stacionit Multimodal.

“Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse gënjen publikisht për leje ndërtimi për komplekse pallatesh në kohën e Lulzim Bashës tek Stacioni Multimodal. E vërteta është se projekti Basha nuk parashikonte asnjë metër katror leje ndërtimi për kompleks pallatesh. E vërteta është se Erion Veliaj u shërben oligarkëve si Salillari, duke pranuar që buxhetit të bashkisë t’i shkojnë vetëm 5 përqind të ardhurave nga koncesionari, në vend të 15 përqind, që parashikonte projekti i Lulzim Bashës”, u shpreh Zhupa.

Mashtrimin e tretë të Veliaj, Zhupa cilësoi tenderat që sipas saj Veliaj do të bëjë tek UKT-ja.

“Erion Veliaj është mashtrues serial dhe i rrezikshëm, sepse, ndryshe nga deklaratat e tij, në vendimet e këshillit Bashkiak nuk ka patur deri tani, nuk ka as sot një vendim për të kthyer në shkollë zyrat e UKT-së. Tenderat disa milionësh që ka ndërmend të bëjë Erion Veliaj për UKT-në, nuk mund të fshehin të vërtetën se në godinën ku ndodhen zyrat e ujësjellësit në njësinë 8, më përpara kanë qenë zyra të Policisë”, deklaroi Zhupa.

 

 

 

Të fundit