Zjarret në çerdhe, Veliaj: Nuk besoj se ka dorë opozita, por ndihem keq që është rreshtuar me zjarrvënësit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë për zjarret në çerdhe dhe duke mos thënë asnjë fjalë për sigurinë e dobët dhe rrezikun që i kanoset fëmijëve, ka nxituar të sulmojë opozitën.

Veliaj thotë se nuk beson se opozita ka dorë në këto ngjarje, por se ndihet keq që është rreshtuar me zjarrëvënësit dhe jo me zjarrfikësit.

“Unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq”, ka deklaruar kryebashkiaku.

Veliaj ka vijuar sërish me akuza të tjera ndaj Partisë Demokratike: “Ata që nuk ndërtuan asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë të re, 4 vjet që kishin Tiranën nuk ngulën një gozhdë, sigurisht që do përdorin çdo mjet, por mund të bëhen aleatë me ata që duan një kryetar tjetër, mund të bëhen aleatë me ata që kanë bindje të tjera, por nuk mund të bëhen aleatë me ata që i vënë zjarrin Tiranës, se kjo i diskrediton dhe është për turp. Dua të siguroj të gjithë ata që kanë fëmijët e tyre në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës; mbaj mend se tre vite më parë çerdhet e kopshtet ishin si biruca, madje ishin më poshtë, ishin më të rrënuara se shumica e burgjeve të Shqipërisë, dhe thashë: ku po i çojmë fëmijët!? Sot, falë shumë prej donatorëve, çerdhet e kopshtet e Tiranës janë model. Pra, unë nuk e di kush janë arsyet e rrugaçëve që vënë zjarr në punët publike në Tiranës, megjithatë mos e dhëntë Zoti kurrë që të mendoj se këtu ka dorë opozita, se në fund të fundit, janë me pushime në Hollandë, se kur s’bënë 4 vjet shkolla, kopshte, çerdhe, nuk do i prishin pushimet për të bërë këto punë.”