Flash News

KRYESORE

Zogaj përmbledh nëntë kushtet e Gjermanisë: Zbatoni reformën në drejtësi

Zogaj përmbledh nëntë kushtet e Gjermanisë: Zbatoni

Preç Zogaj/Gazeta Liberale

Tetë nga nëntë kushtet e qeverisë gjermane për hapjen e negociatave me Shqipërinë mund të reduktohen në një të vetëm, që është ngritja e organeve të drejtësisë së re, nisja e tyre sa më shpejt nga puna. Janë kushte në përfundim e sipër shumica prej tyre. Tani nuk ka asnjë pengesë dhe asnjë mundësi për t’i penguar. Ecurinë  dhe finalizimin  e tyre e garanton  automatizmi i sistemit  të ri të drejtësisë lidhur ngushtë me mbështetjen e fuqishme  të SHBA, Gjermanisë  dhe vendeve të tjera të BE-së.

Nga kjo pikëpapmje zbatimi i kushteve do të ishte i sigurt edhe po të mos i bashkangjiteshin  vendimit për hapjen e negociatave. Por bashkangjitja, e pagjasë në vendime të tilla, është plot me domethënie. Në kuptimin me të thjeshtë, kushtet adresojnë sfidat dhe nxisin Shqipërinë t’u shkojë në fund për të mirën e saj dhe ëndrrës europiane të shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Më tej, kushtet shfryjnë tundimet apo shfaqjet e triumfalizmit politik që mund të kenë në mendje zotërinjtë e qeverisë. Lajmi i hapjes së negociatave do ishte shumë i mirë, por vëmendjen duhet ta marrin kushtet. S’ka vend për spektakle festive. Në një rrafsh tjetër, të jashtëm kësaj radhe, kushtet shërbejnë për të  bashkuar palët politike në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të BE-së që nuk  janë në një mendje për t’i hapur dritën jeshile Shqipërisë. Kush është  skeptik apo kundër  mund të shohë reflektimin e objeksioneve të veta në listën e kushteve.

Dhe domethënia kryesore sipas meje, në rrafshin e brendshëm  tani, është kjo: në lidhjen e tyre kushtet japin përgjigje shteruese për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.  Krizës i kushtohen, krizës i shërbejnë,  ndërsa  nuk kanë  lidhje tjetër me “po”-në eventuale e cila posaqë jepet nuk kthehet më dhe as jepet dot dy herë. Tre prej kushteve të kreut të listës janë ngritja e  e SPAK-ut, BKH-së dhe Gjykatës Speciale, plotësimi dhe rikthimi në punë i Gjykatës  Kushtetuese. Fillimi i tyre nga puna përveçse hap periudhën e sundimit të ligjit nga baza në majë të piramidës   shtetërore dhe shoqërore  në vend, ka një vlerë  imediate  sepse shfryn  krizën. Dihet  se legjitimiteti i dekreteve të Presidentit  të Republikës ( për rrjedhim edhe i zgjedhjeve), që duhet të shqyrtohet  nga Gjykata Kushtetuese, apo hetimi i dosjeve 339 dhe 184 për  shitblerje të votave që do të merret ne dorë nga SPAK janë dy  prej çështjeve me të nxehta që kanë ushqyer dhe ushqejnë  krizën politike në vend.

Gjithkujt  mund t’i ketë  rënë në sy se  kriza në vetvete nuk përmendet në  kushtet e  Gjermanisë të bëra publike deri tani. As në  prononcimet  e shteteve  dhe zyrtarëve të BE-së që  po flasin për  hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ata  kanë një vlerësim të tyrin për  krizën tonë,  vlerësim të cilin e kanë demonstruar në gjithë qëndrimet e mbajtura  gjatë këtij viti. Midis  reformës në drejtësi si sintetizim i një të ardhmeje të re për shtetin ligjor në Shqipëri dhe daljes së opozitës  nga institucionet si precedent me shumë të panjohura,  këto vende kanë në mendje të shpërblejnë  reformën në drejtësi. Pavarësisht se qeverisja noton në dështime e skandale që përligjin largimin e saj  nga pushteti, nuk ka dyshim se objeksionet e një opozite  brenda sistemit  do të peshonin  më  shumë dhe do të ishin marrë më shumë parasysh nga partnerët.

Një  kusht me vete i listës gjermane  është reforma zgjedhore. Të cilën  BE dhe OSBE e  mendojnë si domosdoshmëri për të adresuar problematikat e zgjedhjeve, por edhe si një  rast  konkret për rivendosjen e dialogut politik në vend. Prej kohësh po zhvillohen diskutime  dhe debate konstruktive për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për  gjetjen e zgjidhjeve sa më efikase që luftojnë shitblerjen e votave, që shkurtojnë kohën e numërimit të tyre ,e tjerë, e tjerë. Reforma zgjedhore është  mundësia dhe dokumenti i finalizimit të opsioneve dhe parapëlqimeve që kanë palët brenda dhe jashtë Kuvendit. Nuk ka rast  tjetër. Këtë legjislaturë së paku.  Është e vërtetë  ajo që thotë  PD se  kriza është  komplekse, kurse reforma zgjedhore është një kërkesë e  kalendarit të periudhës që ngjan sikur  e fut politikën  në normalitet. PD mund edhe të mos marrë  pjesë në  komisionin e reformës zgjedhore.  Këtu nuk duhet harruar se  kjo reformë vuloset me votë.

Ajo do të bëhet nga deputetët socialistë dhe nga deputetët e listave të PD dhe LSI që  janë në Kuvend.  Kuvendi do ta tregojë si arritje dhe si plotësim të kushtit gjerman. A  u intereson PD, LSI dhe partive të tjera të koalicionit opozitar të qëndrojnë  jashtë procesit? Arsye pro dhe kundër ka për çdo çështje. Në këtë rast reflektimi pragmatist  dhe racional rreth bojkoteve të mëparshme kundërproduktive të opozitës  favorizon ata që janë pro pjesëmarrjes në procesin e reformës zgjedhore. Koha  ikën shpejt. PD  nuk duhet të përsërisë gabimet e vetpërjashtimit që vetëm e kanë përplasur  me faktin e kryer të palës tjetër dhe vetëm e  kanë  distancuar nga faktori ndërkombëtar.  Zgjidhjet në Shqipërinë e hapur  janë  një kombinim i veprimit  të  faktorëve vendas  me partnerët ndërkombëtare. Në botën e sotme  kjo është e  vlefshme në  Itali e jo më në Shqipëri. Dhe shumë mirë që është kështu. Pa ndërkombëtarët zgjidhjet janë një iluzion.

Bundestangu do të votojë me 26 shtator për Shqipërinë. Vështirë  që  shumica të rrëzojë kancelaren dhe qeverinë e drejtuar prej saj. Po  të tjerët? Vjeshta e sivjetshme  është ideale për  gjithë vendet e  BE-së për të bërë  një gjest konkret  që  nxjerr nga frigoriferi  politikën  e zgjerimit duke  hapur  negociatat  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sapo kanë përfunduar zgjedhjet për parlamentin europian , të cilat rikonfirmuan  një shumicë  të madhe shumëngjyrëshe  europianiste në kontinent.

Frika  nga partitë ekstremiste populiste që janë kundër ekzistencës  apo zgjerim të BE-së mund të përdoret me sforcim, por nuk është reale.  Holanda mund të bashkohet me Gjermaninë dhe të mos trembet tani që partia  nacionaliste e ekstremit të djathtë që kërkonte rivendosjen e vizave për shqiptarët  ka rrëshqitur në vend të katërt. Franca  është  enigma. Presidenti Macron po kërkon  të marrë në rajonin tonë një  rol të denjë për vendin që drejton dhe për ambiciet e  tij si një lider i ri, si violinë e parë  në politikën europiane  në prespektivën e  paralajmëruar të tërheqjes së kancelares gjermane, Merkel. Është  e paimagjinueshme se si do ta merrte ai  këtë rol  nëse do t’u mbyllte derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në kohën tonë, lidership europian pa Ballkanin zor se mund të ketë. Kjo është  vetëm një arsye që ushqen shrpesën për një “po”  nga Franca, ndërkohë që arsyeja e themelit është  europianizmi i  vetë Presidentit dhe shumicës në Asamblenë Kombëtare të Francës.

Një rol specifik për hapjen e negociatave të BE-së me Shipërinë dhe Maqedoninë  kanë SHBA.  I ngarkuari i posaçëm  i Sekretarit të Shtetit, Mark Pompeo për Europën Juglindore, zoti Mathew Palmer e përmendi si një ndër tre prioritetet e punës së tij dhe politikës amerikane në rajon.  Çfarë mund të bëjnë SHBA?  Ata  zhvillojnë dhe  çojnë përpara me parnerët  europianë rëndësinë gjeopolitike që merr hapja e negociatave në kontekstin e politikave të forcave të treta në rajon si  Rusia përshembull, që do të donin  të mbanin proceset në vendnumëro dhe  të dekurajonin zellin e vendeve  kandidatë për t’iu bashkuar Europës.  SHBA sjell këtu bashkë  me solidaritetin me vendet  e BE-së  fuqinë e saj si vend lider i aleancës euroatlantike  dhe leximin e  saj  autentik për  krizat në vendet e rajonit.

Vonesat ua kanë zbehur magjinë  lajmeve  për integrimin. Por sa vjen data e radhës emocionet përtërihen. Një “po” e  BE-së  për  Shqipërinë  ndihmon  qytetarët shqiptarë. Shqipëria përfiton. Politikanët përfitojnë  aq sa qytetarët. Asgjë tjetër nga ato që janë mësuar të marrin deri tani. Po ndryshon gjithçka. /Gazeta Liberale

Të fundit