Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Zogaj përmbledh nëntë kushtet e Gjermanisë: Zbatoni reformën në drejtësi
Preç Zogaj/Gazeta Liberale
Tetë nga nëntë kushtet e qeverisë gjermane për hapjen e negociatave me Shqipërinë mund të reduktohen në një të vetëm, që është ngritja e organeve të drejtësisë së re, nisja e tyre sa më shpejt nga puna. Janë kushte në përfundim e sipër shumica prej tyre. Tani nuk ka asnjë pengesë dhe asnjë mundësi për t’i penguar. Ecurinë dhe finalizimin e tyre e garanton automatizmi i sistemit të ri të drejtësisë lidhur ngushtë me mbështetjen e fuqishme të SHBA, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
Nga kjo pikëpapmje zbatimi i kushteve do të ishte i sigurt edhe po të mos i bashkangjiteshin vendimit për hapjen e negociatave. Por bashkangjitja, e pagjasë në vendime të tilla, është plot me domethënie. Në kuptimin me të thjeshtë, kushtet adresojnë sfidat dhe nxisin Shqipërinë t’u shkojë në fund për të mirën e saj dhe ëndrrës europiane të shumicës dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Më tej, kushtet shfryjnë tundimet apo shfaqjet e triumfalizmit politik që mund të kenë në mendje zotërinjtë e qeverisë. Lajmi i hapjes së negociatave do ishte shumë i mirë, por vëmendjen duhet ta marrin kushtet. S’ka vend për spektakle festive. Në një rrafsh tjetër, të jashtëm kësaj radhe, kushtet shërbejnë për të bashkuar palët politike në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të BE-së që nuk janë në një mendje për t’i hapur dritën jeshile Shqipërisë. Kush është skeptik apo kundër mund të shohë reflektimin e objeksioneve të veta në listën e kushteve.
Dhe domethënia kryesore sipas meje, në rrafshin e brendshëm tani, është kjo: në lidhjen e tyre kushtet japin përgjigje shteruese për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Krizës i kushtohen, krizës i shërbejnë, ndërsa nuk kanë lidhje tjetër me “po”-në eventuale e cila posaqë jepet nuk kthehet më dhe as jepet dot dy herë. Tre prej kushteve të kreut të listës janë ngritja e e SPAK-ut, BKH-së dhe Gjykatës Speciale, plotësimi dhe rikthimi në punë i Gjykatës Kushtetuese. Fillimi i tyre nga puna përveçse hap periudhën e sundimit të ligjit nga baza në majë të piramidës shtetërore dhe shoqërore në vend, ka një vlerë imediate sepse shfryn krizën. Dihet se legjitimiteti i dekreteve të Presidentit të Republikës ( për rrjedhim edhe i zgjedhjeve), që duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, apo hetimi i dosjeve 339 dhe 184 për shitblerje të votave që do të merret ne dorë nga SPAK janë dy prej çështjeve me të nxehta që kanë ushqyer dhe ushqejnë krizën politike në vend.
Gjithkujt mund t’i ketë rënë në sy se kriza në vetvete nuk përmendet në kushtet e Gjermanisë të bëra publike deri tani. As në prononcimet e shteteve dhe zyrtarëve të BE-së që po flasin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ata kanë një vlerësim të tyrin për krizën tonë, vlerësim të cilin e kanë demonstruar në gjithë qëndrimet e mbajtura gjatë këtij viti. Midis reformës në drejtësi si sintetizim i një të ardhmeje të re për shtetin ligjor në Shqipëri dhe daljes së opozitës nga institucionet si precedent me shumë të panjohura, këto vende kanë në mendje të shpërblejnë reformën në drejtësi. Pavarësisht se qeverisja noton në dështime e skandale që përligjin largimin e saj nga pushteti, nuk ka dyshim se objeksionet e një opozite brenda sistemit do të peshonin më shumë dhe do të ishin marrë më shumë parasysh nga partnerët.
Një kusht me vete i listës gjermane është reforma zgjedhore. Të cilën BE dhe OSBE e mendojnë si domosdoshmëri për të adresuar problematikat e zgjedhjeve, por edhe si një rast konkret për rivendosjen e dialogut politik në vend. Prej kohësh po zhvillohen diskutime dhe debate konstruktive për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për gjetjen e zgjidhjeve sa më efikase që luftojnë shitblerjen e votave, që shkurtojnë kohën e numërimit të tyre ,e tjerë, e tjerë. Reforma zgjedhore është mundësia dhe dokumenti i finalizimit të opsioneve dhe parapëlqimeve që kanë palët brenda dhe jashtë Kuvendit. Nuk ka rast tjetër. Këtë legjislaturë së paku. Është e vërtetë ajo që thotë PD se kriza është komplekse, kurse reforma zgjedhore është një kërkesë e kalendarit të periudhës që ngjan sikur e fut politikën në normalitet. PD mund edhe të mos marrë pjesë në komisionin e reformës zgjedhore. Këtu nuk duhet harruar se kjo reformë vuloset me votë.
Ajo do të bëhet nga deputetët socialistë dhe nga deputetët e listave të PD dhe LSI që janë në Kuvend. Kuvendi do ta tregojë si arritje dhe si plotësim të kushtit gjerman. A u intereson PD, LSI dhe partive të tjera të koalicionit opozitar të qëndrojnë jashtë procesit? Arsye pro dhe kundër ka për çdo çështje. Në këtë rast reflektimi pragmatist dhe racional rreth bojkoteve të mëparshme kundërproduktive të opozitës favorizon ata që janë pro pjesëmarrjes në procesin e reformës zgjedhore. Koha ikën shpejt. PD nuk duhet të përsërisë gabimet e vetpërjashtimit që vetëm e kanë përplasur me faktin e kryer të palës tjetër dhe vetëm e kanë distancuar nga faktori ndërkombëtar. Zgjidhjet në Shqipërinë e hapur janë një kombinim i veprimit të faktorëve vendas me partnerët ndërkombëtare. Në botën e sotme kjo është e vlefshme në Itali e jo më në Shqipëri. Dhe shumë mirë që është kështu. Pa ndërkombëtarët zgjidhjet janë një iluzion.
Bundestangu do të votojë me 26 shtator për Shqipërinë. Vështirë që shumica të rrëzojë kancelaren dhe qeverinë e drejtuar prej saj. Po të tjerët? Vjeshta e sivjetshme është ideale për gjithë vendet e BE-së për të bërë një gjest konkret që nxjerr nga frigoriferi politikën e zgjerimit duke hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sapo kanë përfunduar zgjedhjet për parlamentin europian , të cilat rikonfirmuan një shumicë të madhe shumëngjyrëshe europianiste në kontinent.
Frika nga partitë ekstremiste populiste që janë kundër ekzistencës apo zgjerim të BE-së mund të përdoret me sforcim, por nuk është reale. Holanda mund të bashkohet me Gjermaninë dhe të mos trembet tani që partia nacionaliste e ekstremit të djathtë që kërkonte rivendosjen e vizave për shqiptarët ka rrëshqitur në vend të katërt. Franca është enigma. Presidenti Macron po kërkon të marrë në rajonin tonë një rol të denjë për vendin që drejton dhe për ambiciet e tij si një lider i ri, si violinë e parë në politikën europiane në prespektivën e paralajmëruar të tërheqjes së kancelares gjermane, Merkel. Është e paimagjinueshme se si do ta merrte ai këtë rol nëse do t’u mbyllte derën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në kohën tonë, lidership europian pa Ballkanin zor se mund të ketë. Kjo është vetëm një arsye që ushqen shrpesën për një “po” nga Franca, ndërkohë që arsyeja e themelit është europianizmi i vetë Presidentit dhe shumicës në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Një rol specifik për hapjen e negociatave të BE-së me Shipërinë dhe Maqedoninë kanë SHBA. I ngarkuari i posaçëm i Sekretarit të Shtetit, Mark Pompeo për Europën Juglindore, zoti Mathew Palmer e përmendi si një ndër tre prioritetet e punës së tij dhe politikës amerikane në rajon. Çfarë mund të bëjnë SHBA? Ata zhvillojnë dhe çojnë përpara me parnerët europianë rëndësinë gjeopolitike që merr hapja e negociatave në kontekstin e politikave të forcave të treta në rajon si Rusia përshembull, që do të donin të mbanin proceset në vendnumëro dhe të dekurajonin zellin e vendeve kandidatë për t’iu bashkuar Europës. SHBA sjell këtu bashkë me solidaritetin me vendet e BE-së fuqinë e saj si vend lider i aleancës euroatlantike dhe leximin e saj autentik për krizat në vendet e rajonit.
Vonesat ua kanë zbehur magjinë lajmeve për integrimin. Por sa vjen data e radhës emocionet përtërihen. Një “po” e BE-së për Shqipërinë ndihmon qytetarët shqiptarë. Shqipëria përfiton. Politikanët përfitojnë aq sa qytetarët. Asgjë tjetër nga ato që janë mësuar të marrin deri tani. Po ndryshon gjithçka. /Gazeta Liberale