Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Alfred Lela
Mos u bëni hileqar. Për dy arsye: jemi në ditë të emergjencës kombëtare dhe, nuk iu shkon. Hile e vogël ngjan përpjekja për të shpikur një armik te media; hobi Juaj, jo i herës së parë. Padia që është ngritur kundër JOQ, na bën të gjithëve jo-seriozë: Ju, si Kryeministër i Republikës, dhe ne të komunitetit të gazetarëve që, në fakt, duhet të jemi deridiku krenarë për punën gjatë këtyre ditëve.
Nuk ka nevojë t'Ju thuhet se JOQ nuk është media. Fillojeni në daç që nga emri, z. Kryeministër: Jeta Osh Qef! Një faqe Facebook-u, e kthyer në portal, nuk është media; sa kohë nuk ka shqetësim lajmin, por është një platformë e spektaklit, asaj që quhet infotainment, një gërshetim i informacionit (info) me argëtimin (entertainment).
Padia publike është një përpjekje për t'i njollosur të gjithë dhe, kam përshtypjen, qofsha i gabuar, e bëni këtë për disa arsye.
Së pari, doni të shpikni një kundërshtar pasi emergjenca J'ua hoqi nga rruga 'ferrën' e Presidentir dhe kryetarit të Partisë Demokratike. Me të drejtë, në një pakt gentlemen-ësh, ata J'ua lanë skenën, duke iu njohur të drejtën e personit që duhet të menaxhojë këtë emergjencë kombëtare, meqenëse kryesoni Ekzekutivin.
Por, xanxa e konfliktit nuk iu lë të qetë, me sa duket z. Kryeministër. Pa perënduar dielli i ditës së parë të tragjedisë, në fjalorin Tuaj filluan të shfaqeshin përpushjet e para në kërkim të një armiku. Nuk kishit ku ta gjenit tjetër, sepse Makroni nuk mund të ishte më 'armiku imagjinar', dhe iu rikthyet shënjestrës Suaj të parapëlqyer, Medias. Meqë media në tërësi, si ajo tradicionale dhe e reja (portalet), ka qenë kryesisht korrekte dhe solidare, Ju e futët dorën në thesin e marifeteve dhe nxorët prej andej JOQ.
WTF!
Një arsye e dytë ka të bëjë edhe me një projektligj që fle, sa të kalojë emergjenca, në sirtaret e Komisioneve të Medias dhe të Ligjeve në Kuvend. Një projektligj që në fillim e pagëzuat të Anti-shpifjes dhe tashmë, për ta bërë më të pranueshëm në mjedisin e brendshëm dhe ndër internacionalët, keni vendosur ta varni në gozhdën ku të gjithë do të ishin gati të linin Po-në e tyre, pedofili, pornografi dhe ruajtje e privatësisë.
Edhe kjo është një hile PR-i dhe jo luftë e ndershme, sepse media informative nuk është transportier, as i pedofilisë dhe as i pornografisë. I asaj të mendimit ndoshta po, dhe këtu biem dakord, por opinionet, siç thonë anglezët, janë si vrimat e b... të gjithë e kanë nga një.
Ka edhe një arye të tretë se, pse e keni rihapur këtë fushatë anti-media. Mpirja që ka shkaktuar tërmeti, ashtu si narkoza e një ndërhyrjeje kirurgjikale, do të fillojë të ftohet së shpejti dhe njerëzit, bashkë me gazetarët, do ta fillojnë ta kuptojnë botën ashtu siç është. Solidariteti do t'ia lërë vendin Realitetit. Bash në këtë pikë fillon 'tërmeti' i Qeverisë. Iu duhet, z. Kryeministër, të përballeni me aftermath-in, pasojat e tërmetit. Në një humbje kaq të madhe, asnjë Pr (marrdhënie me publikun) nuk J'ua mbulon dot shpinën. Kështu, po bëheni gati, atyre që shërbejnë faktet, gazetarëve, t'Ju përgjigjeni me faktet alternative. Hapi i parë është t'i shenjoni si të pabesueshëm.
Është lëvizje hileqare. Në kohë 'lufte' nuk shkon. Jo vetëm për këtë. Edhe për faktin se mediat kryesore, ose i kontrolloni, ose janë të majta ose të magjepsura me Ju. Ishte një gërshetim i dhimbjes me gajasjen tek shihje gazetarë të rëndësishëm kanalesh të mëdha televizive duke iu bërë pyetje përkëdhelëse dhe afirmative në pozicionin BJ.
Dje në Thumanë, kam parë me sytë e mi skena që nuk ngjajnë askund me ato që përshkruani Ju në ERTV etj. Në Thumanë kishte më shumë njerëz të ardhur për të ndihmuar se të prekur nga tërmeti; gjithsesi më pak ndihmë se ç'kërkohej. Njerëzit kërkonin çadra, dyshekë dhe gjëra elementare dhe nuk i merrnin. Shkurt, një ç'organizim perfekt.
Thumana nuk është më shumë se një grusht fshat dhe menaxhimi, sidomos në rastin kur kryetari i Bashkisë Krujë është i atij fshati (e kam fjalën për Artur Bushin, të përzgjedhurin Tuaj) menaxhimi do duhej të kishte qenë më i lehtë.
Nuk dua të futem edhe te një ankesë që qarkullonte jo pak: ndihmohen 'socialistët', por jo 'demokratët'. Kjo sepse do t'a merrnit si ndasi dhe angazhim politik. Edhe pse e dini se paqedhënësi juaj i kohëve të emergjencës, z. Basha, më ka shpallur 'tradhëtar'.
Kjo është gjendja që pashë dhe perceptova në Thumanë dhe për këtë desha t'Ju shkruaja, duke mos e titulluar këtë editorial 'Letër e hapur', gjë që, me të drejtë, do t'Jua kish sjellë zorrët në grykë.
Nuk jam i pasur, as i fuqishëm, por kam një gjë njerëzore për të ndarë, që quhet shqetësim. Merreni si të tillë gjithë këtë tiradë dhe mbi këtë logjikë, reflektoni mbi të, nëse mundeni!